Rishikimi i Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, “Forum 26”: Një çmim i veçantë për dramaturgjinë dhe rikthimi i poezisë…
Çmimet Kombëtare të Letërsisë këtë janar u shoqëruan edhe me debate mbi transparencën, kriteret dhe vetë strukturën e tyre. Në janar u ndanë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024, por ndarja e vetëm tre çmimeve nxiti debat në komunitetin letrar, ku një pjesë shprehu se janë lënë jashtë disa zhanre jo pak të rëndësishme. Në vijim të procesit të rishikimit dhe organizimit të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi këto ditë një takim këshillues me përfaqësues të fushës së librit, ku morën pjesë shkrimtarë, kritikë letrarë, përkthyes dhe botues.
Temat kryesore që u shtruan për diskutim si dhe propozimet që erdhën nga grupet e interesit në këtë takim kishin të bënin me kriteret e pjesëmarrjes dhe mekanizmat e përzgjedhjes së veprave për konkurrim, kategoritë e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, përbërjen dhe funksionimin e jurisë vlerësuese apo dhe hartimin e politikave të qëndrueshme për promovimin e autorëve dhe veprave fituese gjatë gjithë vitit. Në këtë takim ishin dhe përfaqësues të Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë “Forum 26”, që shprehen se çmimet letrare janë një mjet i rëndësishëm për të mbështetur autorët, librin dhe botuesit, duke ndihmuar që veprat me vlera të arrijnë më lehtë te lexuesi dhe të fitojnë jehonë në jetën kulturore. ““Forum 26” thekson se Çmimet Kombëtare të Letërsisë duhet të respektojnë ndarjen tradicionale të tri gjinive të mëdha letrare- epike, lirike dhe dramatike, duke garantuar vlerësim të veçantë për prozën, poezinë dhe dramaturgjinë. Në këtë kuadër, shprehim shqetësimin për përjashtimin nga konkurrimi të disa zhanreve letrare, si poezia, tregimi dhe letërsia për fëmijë, pa një akt të argumentuar dhe publik. “Forum 26” propozon rikthimin e këtyre kategorive në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, si edhe përfshirjen e një çmimi të veçantë për dramaturgjinë”, thuhet nga “Forum 2026”.
Rregullorja e çmimeve
“Forum 26” thekson nevojën që procesi i çmimeve të jetë i qartë, i qëndrueshëm dhe transparent. Rregullorja sipas tyre, duhet të përcaktojë qartë mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të jurisë, kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve, etj. ““Forum 26” vlerëson se procesi duhet të mbështetet mbi rregulla të qarta, të qëndrueshme dhe transparente. Rregullorja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë duhet të përcaktojë qartë mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të jurisë, kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të saj, procedurat e konkurrimit, dokumentimin institucional të vendimmarrjes, trajtimin dinjitoz financiar të autorëve fitues dhe mekanizmat promovues për veprat e vlerësuara. Një element thelbësor i kësaj rregulloreje duhet të jetë edhe kodi i etikës, i nënshkruar nga anëtarët e jurisë, ku të përcaktohen qartë konfliktet e interesit dhe rastet e cenimit të integritetit të procesit vlerësues”, vijon më tej “Forum 2026”.
Ndër të tjera “Forum 26” vlerëson gjithashtu se përbërja e jurive duhet të mbështetet mbi parimin e shmangies së konfliktit të interesit dhe të ruajtjes së integritetit profesional të procesit vlerësues. Për këtë arsye, “Forum 26” propozon që juritë të përbëhen kryesisht nga studiues të letërsisë, kritikë letrarë, akademikë, dhe profesionistë të fushës së librit, të cilët mund ta ushtrojnë vlerësimin nga një pozicion më i distancuar kritik dhe institucional. “Në këtë aspekt, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si institucion publik i financuar nga buxheti i shtetit, ka detyrimin të garantojë transparencë dhe informim publik gjatë gjithë procesit të konkurrimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin për të drejtën e informimit”, thuhet nga “Forum 2026”.
Propozimi për themelimin e një Çmimi të Madh Mbarëkombëtar të Letërsisë
Aktualisht, Çmimet Kombëtare të Letërsisë nuk përfshijnë autorët shqiptarë nga Kosova dhe hapësirat e tjera shqipfolëse, dhe as Çmimet Vjetore në Kosovë nuk pranojnë autorë nga Shqipëria. “Forum 26” thekson se letërsia është e përbashkët dhe duhet të tejkalojë kufijtë shtetërorë, prandaj kriteret e pjesëmarrjes duhet të rishikohen, duke përfshirë në konkurse të gjithë autorët që shkruajnë në gjuhën shqipe, pavarësisht vendit ku jetojnë ose botojnë. “Aktualisht, Çmimet Kombëtare të Letërsisë nuk janë kombëtare në kuptimin e plotë kulturor dhe gjuhësor të fjalës, pasi autorët shqiptarë nga Kosova dhe hapësirat e tjera shqipfolëse nuk mund të marrin pjesë në konkurrim. Po kështu, në Çmimet Vjetore që jepen për letërsinë shqipe në Kosovë nuk mund të marrin pjesë autorë nga Shqipëria. Kjo praktikë ku dy shtetet shqiptare japin çmime shtetërore për letërsinë ka krijuar një situatë absurde: një autor shqiptar që jeton në Kosovë por e boton librin në Tiranë, nuk mund të marrë pjesë në asnjërin prej këtyre konkurrimeve letrare: nuk merr pjesë në Shqipëri se nuk është shtetas i Shqipërisë dhe nuk merr dot pjesë në Kosovë sepse librin e ka botuar në Shqipëri.
Mirëpo, letërsia nuk i përket shtetit por gjuhës, ajo është një dhe e pandashme. Duke qenë se gjuha shqipe është atdheu ynë i përbashkët kulturor dhe letrar, “Forum 26” vlerëson se këto çmime duhet të rishikojnë kriteret e pjesëmarrjes dhe të parashikojnë përfshirjen në konkurrim të autorëve që shkruajnë në gjuhën shqipe, pavarësisht territorit shtetëror ku jetojnë dhe botojnë”, shprehet “Forum 2026”. Nëse një zgjerim i tillë nuk është i mundur në kuadrin aktual institucional, “Forum 26” propozon themelimin e një Çmimi të Madh Mbarëkombëtar të Letërsisë. Në shkurt 2026, autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare themeluan “Forum 26”, një shoqatë të shkrimtarëve. Synim është krijimi i një tregu të përbashkët të librit shqip, ndikim në ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe promovimin e autorëve shqiptarë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.