Ristani: Policia e Shtetit të rikthehet në detyrë e të luftojë krimin
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani reagoi sot ndaj situatës së sigurisë në vend, ndërsa kërkoi që Policia e Shtetit të përqendrohet te parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar.
Përmes një deklarate për shtyp, Ristani tha se rendi dhe siguria për shqiptarët vazhdojnë të jenë në ditët më të këqia.
“Plumbat e kriminelëve, që sipas Kryeministrit Rama, vazhdojnë të lajnë hesapet në pritje të rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, kanë shkaktuar 2 të vdekur dhe 1 të plagosur dje në Shkodër dhe 1 të plagosur në Tiranë. Ndërkohë po dje, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në aksidente automobilistike”, tha Ristani.
Sipas tij “kthimi i Shqipërisë në një burg të madh, nuk është zgjidhja për një popull që synon prosperitetin në familjen europiane. Ristani kërkoi që Policia e Shtetit të rikthehet në krye të detyrës dhe të mos merret me shkatërrimin e shtëpive dhe lënien në errësirë të qindra familjeve të varfëra.