Robert Papavrami, një medalje për atin e violinës
Kryeministri Edi Rama dekoron me medaljen e mirënjohjes, pedagogun e njohur të violinës, Robert Papavrami
“Babo, nuk erdha dot, por të paktën po studioj mirë violinë. Kështu që dhe ti je më i qetë”. Kështu e niste letrën dërguar të atit, në pamundësi për të qenë me të dje, në një ditë të rëndësishme të tij, violinisti i njohur, Tedi Papavrami. Dje Kryeministri Edi Rama ka dekoruar me medaljen e mirënjohjes Robert Papavramin, pedagog i violinës i disa gjeneratave, për kontributin e gjatë në artin shqiptar. Në një pritje të organizuar enkas nga Kryeministri, në Sallën e Hartave, miq, bashkëpunëtorë dhe ish-studentë të tij, ndanë kujtime dhe emocione, me ndjenjën e mirënjohjes për atë çka profesor Berti, siç ata e thërrasin, nënkupton për plejadat e instrumentistëve shqiptarë. “Për një shqiptar shumë të veçantë, për një pedagog të jashtëzakonshëm”, me këtë kushtim, Kryeministri Rama i dorëzoi medaljen. “Një emocion të tillë, në jetën time nuk e kam provuar kurrë”, u shpreh profesor Papavrami. Një situatë të ndjerë ka sjellë dhe letra e të birit, violinistit Tedi Papavrami, lexuar nga vetë Kryeministri Edi Rama, ndërthurur dhe me vlerësime të tij. “Pse Robert Papavrami ose më saktë, Bert Papavrami, është një baba me fatin pa hesap, për këtë, jam i bindur, nuk ka nevojë për shpjegime. Sot, djali i tij ndodhet në majën botërore, ku vetëm një shqiptar shumë kokëfortë si Berti, mund të guxonte ta parafytyronte të birin qysh në krye të herës kur e mbante në krahë, i kyçur në ferrin e izolimit komunist, ku as ëndrrat dhe jo më realiteti nuk e afronin këtej, botën e përtejme”, tha Kryeministri Rama. Sipas tij, në albumin e kujtesës së Liceut Artistik të Tiranës, në kapërcyellin e viteve ’80-të, pantallonat e shkurtra të Tedit, në mes të dimrit dhe motoçikleta vintage, me kosh, e Bertit janë dy dëshmi ekskluzive të një aventure të jashtëzakonshme, që u përgatit fshehtas për vite me radhë. “Aq fshehtas u krijuan të gjitha kushtet e asaj aventure për violinë pa orkestër, sa dhe vetë të dy heronjtë, që do të tronditnin Shqipërinë dhe më pas do të magjepsnin botën me komplicitetin e tyre, ia fshehën sa mundën njëri-tjetrit atë që donin. Tedi donte lirinë e fëmijës pa violinë. Berti donte lirinë për fëmijën me violinë”, tha Kryeministri Rama. Duke e quajtur Tedin, Papavrami i Tretë, i një dinastie kokëfortësh, Robertin e ka quajtur Papavrami i Dytë, ndërsa i Pari ishte i famshmi doktor Papavrami të cilit hija e pasardhësve i ka hyrë padrejtësisht, në hisen e vet të lavdisë. “Tedi e di mirë këtë punë, duket, përderisa në letrën që ka shkruar këtu për ne, thotë se “një Papavram, njëherazi, mbase mjafton për Shqipërinë”. E bën për të justifikuar mungesën, pse nuk erdhi. “E cila edhe pse mban shumë, nuk është kaq e madhe, ndërkohë që po bëhen tre gjenerata që e ngarkojmë me emrin tonë. E në fund të fundit, kjo është dita jote dhe jo dita ime”, – e justifikon dhe më qartë, Tedi, mungesën e tij, sot, këtu. Sepse sot, ne i gëzohemi pranisë së Bert Papavramit si një mundësi për të nderuar jo thjesht babin e Tedit, por pedagogun krejt të veçantë të shumë talenteve shqiptare të violinës, si njeriu që vendosi një gur të rëndë themeli për shkollën shqiptare të violinës”, vazhdoi Kryeministri në fjalën e tij”, tha Kryeministri. Robert Papavrami është një nga pedagogët më të mirë të violinës, dhe një studiues i mirë i fushës. Kryeministri si autoritet ka një medalje të cilën ia dorëzon kryetarëve të shteteve apo kryetarëve të qeverive, sipas protokollit, kur ata trokasin dhe hyjnë në këtë seli. Por Kryeministri Rama ka vendosur ta thyejë sërish këtë protokoll pas nderimit që i bëri herën e parë sopranos Ermonela Jaho. “Besoj që jo vetëm asnjë kryetar shteti apo asnjë Kryeministër nuk do të ndihej më i vogël, nëse këtë medalje e merr edhe Bert Papavrami, por, ndërkohë, edhe unë vetë, duke i dhënë këtë medalje Bertit, jam i bindur që nderoj këtë godinë, nderoj ketë institucion dhe nderoj autoritetin e Kryeministrit, që për një periudhë kohe kam privilegjin të përfaqësoj”, tha Kryeministri. Pasi, kjo është një medalje sipas tij, për një shqiptar shumë të veçantë, për një pedagog të jashtëzakonshëm, për babanë e Tedi Papavramit, por, në fund fare, edhe për një diktator shembullor…
“Në ditët e sotme, që gjërat harrohen gjithmonë e më shpejt, edhe në Shqipëri, vend ku ti ke shumë me tepër kujtime e shokë se unë, e kam ndier veten në një pozitë disi të çuditshme dhe jo të rehatshme, duke vënë re nevojën për të kujtuar meritën tënde të pakrahasueshme në fushën e violinës dhe të harqeve, në përgjithësi. Pas çdo muzikanti të mirë ka një profesor të mirë dhe nëse muzikanti, kur është me fat, ka zakonisht një profesor të tillë gjatë jetës së tij, ky i fundit mund të prodhojë me dhjetëra muzikantë të mirë. Gjë të cilën e ka bërë vazhdimisht, në Shqipëri dhe në Francë. Qe rastësi e çuditshme që qëllova unë të bëhem më i njohuri i nxënësve të tu. Insistoj me fjalën rastësi, sepse për sa i përket punës së shkëlqyer që bënë me mua, ata që kanë punuar me ty në të njëjtën periudhë e dinë që kërkesa, metoda dhe pasioni yt ishin të mira për të gjithë. Është fakti që duke të pasur njëkohësisht baba, më ka hyrë më herët e më thellë se te shumë të tjerë pasioni yt për violinën dhe ëndrra e arritjes së diçkaje të përkryer, në këtë fushë kaq magjike. E përtej dijes dhe mjeteve që dite të zhvillosh kaq mirë, për të bërë që të avancojnë studentët e tu, është pasioni yt, kaq komunikativ, i një bukurie të pakapshme, që mbase të karakterizon më shumë se çdo gjë. “Nuk po zgjatem më, se fjalët në këto raste nuk kanë magjinë e muzikës dhe bëhen shpejt të lodhshme për dëgjuesit. Po i kthehem studimit, ashtu siç ma pati shkruar dikur në një partiturë, këshillë të cilën kam vazhduar ta ndjek, një shprehje kaq shqipe, një muzikë kaq universale. “Tedo, mos u mërzit, qaji hallet me Bahun…”
Pjesë nga letra e Tedi Papavramit për të atin