Rrahmani kërkon llogari për 589 mijë euro pagesa ndaj ish-zyrtarëve serbë, Kurti: Kosto të gabimeve të së kaluarës
Deputeti i PDK-së pretendoi se janë paguar persona që nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë, ndërsa kryeministri Kurti tha se institucionet kanë ndërmarrë hapa për transferimin dhe largimin e një pjese të tyre.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka ngritur në Kuvend çështjen e pagesave ndaj personave që, sipas tij, kanë qenë pjesë e strukturave paralele serbe dhe që kanë marrë paga nga institucionet e Kosovës pa ushtruar detyrat e tyre zyrtare.
Gjatë një pyetjeje drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Rrahmani tha se gjatë vitit 2025 janë paguar gjithsej 589 mijë e 884 euro për këta persona.
“Disa pagesa që janë bërë për 80 punonjës pa shkuar as edhe një ditë në punë. Ata persona janë ish-persona të strukturave paralele dhe ju po vazhdoni t’i paguani”, deklaroi Rrahmani.
Ai pretendoi se bëhet fjalë për persona që kanë qenë pjesë e strukturave paralele që kanë funksionuar në veri të Kosovës, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e informatave rreth identitetit dhe veprimtarisë së tyre.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti iu referua një vendimi të Qeverisë së Kosovës të datës 22 korrik 2015, sipas të cilit, ish-Ministria e Administratës Publike ishte obliguar të sistemonte 20 punonjës nga komuniteti serb, me qëllim integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.
Kurti tha se, pavarësisht akteve të emërimit, këta punonjës nuk kishin ushtruar asnjëherë detyra zyrtare në kuadër të ministrisë.
Sipas tij, gjatë vitit 2025, Ministria e Punëve të Brendshme kishte ndërmarrë veprime për transferimin e tyre në funksione të tjera brenda ministrisë.
Kryeministri bëri të ditur se katër prej tyre janë larguar nga shërbimi civil pas masave disiplinore, ndërsa 15 të tjerë kanë paraqitur ankesa kundër vendimeve për transferim pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Kurti foli edhe për ndërprerjen e kontratave të 29 zyrtarëve nga komuniteti serb në Ministrinë e Mjedisit dhe institucionet e saj vartëse.
Sipas tij, këta zyrtarë ishin të njohur edhe si pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e kishte shpallur organizatë terroriste në qershor të vitit 2023.
Ai sqaroi se 20 prej tyre ishin të punësuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shtatë në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe dy në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Në përfundim të përgjigjes, Kurti tha se institucionet nuk mund t’i zgjidhin menjëherë të gjitha problemet e trashëguara nga e kaluara.
“Këto janë kosto të gabimeve të së kaluarës dhe ne nuk mund t’i rregullojmë menjëherë”, deklaroi kryeministri. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.