Te ndryshme

Rrëfimi i njeriut të dytë më të zgjuar në botë

Personazh

 Testet e inteligjencës janë mënyra më e mirë për të kuptuar shkallët e zgjuarsisë njerëzore. Rik Rosner ka bërë shumë syresh dhe prej tyre ka rezultuar se është njeriu i dytë më inteligjent në botë. Në një intervistë për “Business Insider”, ai tregon për jetën e tij

gjeniRik (Rick) Rosner, njeriu i dytë më i zgjuar në botë sipas testeve të inteligjencës, rrëfen se ndonjëherë nuk ndihet edhe aq i zgjuar. “Kur nuk i kuptoj gjërat shpejt, ndihem si budalla”, tha ai për “Business Insider”.

Sigurisht, e gjitha kjo është relative. Rosner ka një nivel inteligjence IQ prej 192, ku mesatarja është 100 dhe më shumë se 160 konsiderohet si gjeniale.

Rosner aktualisht renditet i dyti në Regjistrin e Gjenive Botërorë, një listë e mendjeve më të larta të planetit, të cilët kanë kryer një test inteligjence të certifikuar të krijuar nga dr. Jason Betts.

“Nuk ka asgjë tjetër si Regjistri i Gjenive të Botës”, thotë Rosner, 54 vjeç, banues në Kaliforni së bashku me të shoqen. “Përpara se të krijohej nga dr. Jason Betts, nuk kishte listim të personave me inteligjencën më të lartë në botë”.

Rosner po shkruan një libër për kujtimet e tij, ndërsa punon në teorinë e universit.

**

Biografja juaj shkruan se jeni njeriu i dytë me inteligjencën më të lartë në botë. Ku bazohet?

Kam bërë shumë, shumë teste – më shumë se 30 – dhe në më shumë se 20 prej tyre kam marrë pikët më të larta ndonjëherë, gjë që më bën mua një lloj Tiger Woods të testeve të inteligjencës, përpara vitit 2009. Sipas klasifikimit të Regjistrit Botëror të Gjenive, vetëm një person tjetër ka marrë një rankim më të lartë se unë.

Në cilat lëndë e quani veten si të shkëlqyer?

E quaj veten të mirë në matematikë, fizikë dhe në lidhjen e fjalëve. Kam shkruar më shumë barsoleta se 99.9 për qind e njerëzve.

Cili është ndryshimi mes dijes dhe inteligjencës?

Dija janë faktet dhe analizat e gatshme që i ke lexuar pa u menduar gjatë. Inteligjenca është aftësia për të aplikuar atë që di për të marrë dobi. Sot, pjesa më e madhe e dijeve gjendet në pajisjet tona teknologjike, ndaj dija mund të përfshijë edhe aftësinë e marrjes së informacionit. Të jesh në gjendje të përdorësh një gamë të gjerë diturie për të dalë në përfundime të reja të problemeve, kjo është inteligjencë.

Në çfarë moshe e dinit se ishit më i zgjuar se shumica?

Perceptimi im për aftësinë time mendore, është lëkundur ndjeshëm. Mund të lexoja mirë në kopsht, gjatë një kohe kur prindërit e tjerë nuk po i nxisnin fëmijët e tyre. Kur të gjithë fëmijët e kopshtit bënë një test inteligjence dhe morëm përgjigjet, edukatorja u tha prindërve të mi se unë isha një gjeni. Mendoja se zgjuarsia ishte një lloj kompensimi për aftësitë e munguara shoqërore dhe në parkun e lojërave.

Besoja se isha brilant deri në vitin e fundit të shkollës së mesme, kur kuptova se të qenët i zgjuar nuk do të më bënte Ajnshtajnin e ardhshëm. Ndaj u përqendrova te të qenët një njeri i zakonshëm. Por kur fillova të bëj teste të shumta inteligjence, kuptova se isha vërtet brilant.

Çfarë ju bën të ndiheni jo të zgjuar?

Kur nuk i kuptoj gjërat shpejt ndihem si idiot. Mund të kuptoj pothuajse çdo gjë, por kur më merr kohë, ndihem keq.

Keni bërë disa punë shumë të çuditshme përgjatë viteve, çfarë ju ka shtyrë të veproni jashtë të zakonshmes?

Në vitin e fundit të gjimnazit, u tremba se mos bëhesha një tip i mbyllur dhe pa sukses me vajzat. Fillova të bëj gjëra nga më të ndryshmet, përveç atyre që kisha interes të veçantë, si për shembull fizika.

Si është një ditë e zakonshme për ju?

Kur kam punë, zgjohem në 06:30 të mëngjesit. Kontrolloj internetin. Pi 50 pilula ilaçesh për shëndet, jetëgjatësi dhe për ta bërë trurin të funksionojë më mirë. Lexoj gazetën dhe ha mëngjes. Bëj ca ushtrime trupore. Shkoj nga puna në palestër. Lexoj ndonjë libër ose mendoj për fizikën. Kur mbërrij në shtëpi, qëndroj me bashkëshorten dhe ajo më tregon për ditën e saj teksa shohim televizor. Tani po merrem me shkrimin e kujtimeve të aventurave të mia.

Si është jeta juaj romantike?

Unë dhe ime shoqe festuam së fundmi 23-vjetorin e martesës sonë dhe përpara kësaj kemi ndenjur së bashku pesë vite, ndaj i bie të kem qenë me të njëjtin person për më shumë se gjysmën e jetës sime. E humba virgjërinë tre muaj përpara se të mbushja 20 vjeç, gjë që është disi patetike po të mendosh se e kisha dëshiruar të ndodhte më herët. Kam pasur disa të dashura përpara bashkëshortes sime, numër që përputhet me standardet e sotme.

Çfarë ju bezdis te të tjerët?

Shumica e gjërave që më bezdisin te të tjerët, më bezdisin edhe te vetja. Truri ynë ka shumë avantazhe, por edhe disa kufizime. Duke i ditur kufijtë e mi, shpesh përsëris shprehjen “Lepuri më i zgjuar në botë, mbetet ende një lepur”.

S’më pëlqen mënyra sesi njerëzit përballen me teknologjinë, që është në ndryshim të vazhdueshëm dhe nuk jam fare dakord me faktin që nuk shqetësohemi më shumë për të ardhmen. Gjërat do të bëhen shumë të çuditshme një ditë, dhe ne nuk do të kemi mundësinë t’i parandalojmë.

*Burimi: Business Insider

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button