Rregullatorët mbyllin United Fidelity Bank, dështimi më i madh bankar në SHBA në mbi dy vjet
Rregullatorët amerikanë mbyllën të premten United Fidelity Bank, me seli në Evansville të Indianës, në dështimin më të madh bankar në Shtetet e Bashkuara në më shumë se dy vjet, siç njofton Reuters.
Zyra e Kontrollorit të Valutës (OCC) tha se banka ndodhej në “gjendje të pasigurt ose të pashëndetshme” dhe se me gjasë nuk ishte më në gjendje të paguante detyrimet e saj. Për këtë arsye, rregullatori ia dorëzoi kontrollin e bankës Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave (FDIC), e cila do të merret me likuidimin e saj.
Dështimi i fundit i kësaj përmase ishte ai i Republic Bank të Filadelfias, në prill të vitit 2024, një bankë me rreth 6 miliardë dollarë aktive. United Fidelity e tejkalon atë, duke u bërë kështu rasti më i rëndë i falimentimit bankar në vend që prej asaj kohe.
First Citizens Bank, me seli në Raleigh të Karolinës së Veriut dhe filial i First Citizens BancShares, ra dakord të blejë huatë dhe pjesën më të madhe të depozitave e aktiveve të bankës së dështuar. Marrëveshja mbulon 5.9 miliardë dollarë aktive, 4.5 miliardë dollarë depozita dhe 3.1 miliardë dollarë hua, sipas bilanceve të 30 shtatorit. Depozitat totale të United Fidelity arrinin në 5.4 miliardë dollarë.
FDIC vlerëson se dështimi do t’i kushtojë Fondit të Sigurimit të Depozitave rreth 1.83 miliardë dollarë. First Citizens u zgjodh përmes një gare konkurruese, duke ofruar një zbritje të aktiveve prej rreth 2.6 miliardë dollarësh dhe pa paguar prim për depozitat.
Depozituesit e United Fidelity bëhen automatikisht depozitues të First Citizens, pa ndryshuar marrëdhënia e tyre bankare dhe duke ruajtur fondet e mbulimin e sigurimit. 22 degët e bankës — 20 në Indiana, Illinois, Kolorado e Florida dhe 2 në Ishujt e Virgjër të SHBA-së — do të rihapen si degë të First Citizens të shtunën e të hënën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.