Rama akuzon Qeverinë për bllokimin e muralit të Nënës Terezë, paralajmëron konferencë për media
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë për bllokimin e muralit kushtuar Nënës Terezë, i cili ishte paraparë të përurohej sot, më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, njofton KosovaPress.
Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për pengimin e vazhdueshëm të realizimit të projekteve në kryeqytet. “Bollni mo me bllokada! Bollni mo me inate! Kryeministër, nuk ju kanë votu qytetarët e Kryeqytetit! SHKURT E SHQIP!”, ka shkruar Rama, sipas raportimit të KosovaPress.
Ai ka përmendur rrugën “Jim Xhema”, sheshin “Xhorxh Bush”, Ishullin Urban, nënkalimin “Agim Ramadani” dhe sheshin “Qamil Hoxha” si projekte që, sipas tij, Qeveria ka tentuar t’i bllokojë. “Sonte paskeni dalë me e blloku edhe muralin në nder të Nënës Terezë, që duhet me u përuru nesër, në Ditën e Flamurit! Kjo është çmenduri!”, ka shkruar Rama.
Përplasja mes Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë për muralin nisi mbrëmë, kur Policia ndaloi punimet, ndërsa Ministria e Ekonomisë akuzoi Komunën për ndërhyrje të paligjshme në objektin e saj. Lidhur me këtë çështje, siç njofton KosovaPress, kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar konferencë për media sot, në orën 09:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.