Rreth 175 migrantë të zhdukur pasi humbi kontakti me varkën e nisur nga Senegali drejt Evropës
Kontakti ka humbur me një pirogë druri që u nis nga lagjja Yoff e Dakarit rreth 9-10 nëntorit me rreth 175 persona në bord, thanë zyrtarë lokalë dhe një grup për të drejtat e njeriut, ndërsa marina senegaleze shpëtoi të hënën 974 migrantë në pesë piroga.
Rreth 175 migrantë rezultojnë të zhdukur pasi humbi kontakti me një varkë të nisur drejt Evropës, e cila u largua nga kryeqyteti senegalez Dakar rreth dy javë më parë, thanë zyrtarë lokalë dhe një grup për të drejtat e njeriut, siç njofton Reuters, ndërsa numri i atyre që tentojnë kalimin e rrezikshëm drejt Evropës po rritet.
Varka u nis nga Yoff, një lagjje e Dakarit, rreth 9-10 nëntorit, thanë kryetari i bashkisë dhe sekretari i përgjithshëm i portit lokal të peshkimit. Sipas kryetarit të Yoff-it, Seydina Issa Laye, në bordin e mjetit prej druri, një lloj varke që njihet lokalisht si pirogë, udhëtonin rreth 175 persona.
Organizata joqeveritare Action for Human Rights and Friendship tha se besohet të jenë zhdukur 172 persona dhe bëri thirrje që përpjekjet e kërkim-shpëtimit të intensifikohen.
Marina e Senegalit tha se të hënën kishte shpëtuar 974 migrantë që udhëtonin në pesë piroga. Sipas deklaratave të marinës, më shumë se 5.200 migrantë janë shpëtuar, ndaluar ose penguar të nisen nga Senegali që nga fillimi i nëntorit.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, kalimet e migrantëve nga Afrika Perëndimore drejt Evropës janë rritur ndjeshëm këtë muaj, me më shumë se 8.000 persona që kanë mbërritur në Ishujt Kanarie gjatë 12 ditëve të para të nëntorit. Udhëtimi është i rrezikshëm dhe shpesh vdekjeprurës: mijëra persona kanë vdekur duke tentuar kalimin vitet e fundit, përfshirë 635 vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas grupit për të drejtat e migrantëve Walking Borders.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.