⛅
Tiranë 9°C · Pjesërisht vranët 24 Nëntor 2026
S&P 500 7,164 ▼1.02%
DOW 49,742 ▲0.3%
NASDAQ 23,552 ▼2.23%
NAFTA 80.63 ▲0.57%
ARI 3,572 ▼2.18%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0921 EUR/GBP 0.8370 EUR/CHF 0.9187 EUR/ALL 89.9023 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6478 EUR/TRY 55.2353 EUR/JPY 173.68 EUR/CAD 1.5676 EUR/USD 1.0921 EUR/GBP 0.8370 EUR/CHF 0.9187 EUR/ALL 89.9023 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6478 EUR/TRY 55.2353 EUR/JPY 173.68 EUR/CAD 1.5676
₿ CRYPTO
BTC $59,542 ▼ -4.22% ETH $1,671 ▼ -5.4% XRP $0.9124 ▼ -6.04% SOL $69.1100 ▼ -7.1%
S&P 500 7,164 ▼1.02 % DOW 49,742 ▲0.3 % NASDAQ 23,552 ▼2.23 % NAFTA 80.63 ▲0.57 % ARI 3,572 ▼2.18 % S&P 500 7,164 ▼1.02 % DOW 49,742 ▲0.3 % NASDAQ 23,552 ▼2.23 % NAFTA 80.63 ▲0.57 % ARI 3,572 ▼2.18 %
EUR/USD 1.0921 EUR/GBP 0.8370 EUR/CHF 0.9187 EUR/ALL 89.9023 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6478 EUR/TRY 55.2353 EUR/JPY 173.68 EUR/CAD 1.5676 EUR/USD 1.0921 EUR/GBP 0.8370 EUR/CHF 0.9187 EUR/ALL 89.9023 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6478 EUR/TRY 55.2353 EUR/JPY 173.68 EUR/CAD 1.5676
24 Nën 2026
Breaking
Kosova

BE-ja kërkon nga Kosova përshpejtimin e reformave në administratën publike

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të përshpejtojë zbatimin e reformave në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike, duke vënë theksin te rekrutimi në bazë të meritës, zvogëlimi i numrit të ushtruesve të detyrës dhe zbatimi i plotë i reformës së pagave. Këto çështje u diskutuan në takimin e 14-të të Grupit të Posaçëm BE-Kosovë për Reformën e Administratës Publike, të mbajtur të martën në Prishtinë.

Takimi u bashkëkryesua nga ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, dhe shefi i Njësisë së Komisionit Evropian përgjegjëse për Kosovën, Jiří Plecitý.

Sipas njoftimit, në takim morën pjesë përfaqësues të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan progresin në ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe të orientuar drejt ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët dhe bizneset.

Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, si dhe zotimeve të vendit në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së dhe Agjendës së Reformave, përfaqësuesit evropianë kërkuan përshpejtimin e zbatimit të strategjive për Reformën e Administratës Publike (RAP) dhe Menaxhimin e Financave Publike (MFP).

BE-ja ofroi gjithashtu ekspertizë për hartimin e gjeneratës së ardhshme të planeve të reformave, duke theksuar rëndësinë e konsultimeve të rregullta me publikun dhe shoqërinë civile gjatë procesit të hartimit dhe zbatimit të tyre.

BE-ja kërkon më pak ushtrues detyre dhe rekrutim në bazë të meritës

Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua zbatimit të kornizës së re ligjore për shërbimin publik në Kosovë.

Përfaqësuesit e BE-së theksuan nevojën për shfrytëzimin e plotë të sistemit të centralizuar të rekrutimit për plotësimin e vendeve të lira të punës në administratën publike, zvogëlimin e mëtejmë të numrit të ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e plotë të reformës së pagave.

Sipas BE-së, prezantimi i sistemit të centralizuar të rekrutimit në fillim të këtij viti përbën një hap të rëndësishëm drejt një shërbimi publik profesional dhe të bazuar në meritë, por sistemi ende duhet të vihet plotësisht në funksion.

Në takim u diskutua edhe për Gjykatën Administrative, të themeluar së fundmi në Prishtinë, e cila është përgjegjëse për vendimmarrjen në shkallë të parë në kontestet administrative.

BE-ja vlerësoi se funksionalizimi i kësaj gjykate me personel të mjaftueshëm mund të ndihmojë në zvogëlimin e vonesave të vazhdueshme në trajtimin e lëndëve administrative.

BE-ja mirëpret progresin në digjitalizimin e shërbimeve publike

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian mirëpriti progresin e Kosovës në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë së qeverisjes elektronike, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Pozitivisht u vlerësua edhe progresi në programin për zvogëlimin e barrës administrative.

Ministri Jagxhiu, gjatë takimit, prezantoi të arriturat në zbatimin e reformave, përfshirë rekrutimin e centralizuar, racionalizimin e agjencive, zvogëlimin e barrës administrative dhe zgjerimin e shërbimeve publike digjitale.

Ai theksoi se themelimi i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike krijon një kornizë më të fortë institucionale për koordinimin e këtyre reformave.

Jagxhiu përmendi gjithashtu lansimin e Platformës Kombëtare të Identifikimit Elektronik dhe Portofolit Digjital, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme për forcimin e infrastrukturës digjitale dhe ofrimin e shërbimeve publike më të sigurta dhe më të qasshme.

Përfaqësimi i grave dhe zvogëlimi i ushtruesve të detyrës

Gjatë takimit, ministri Jagxhiu prezantoi edhe Raportin vjetor të Kosovës për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të publikuar në tetor të këtij viti, i cili paraqet gjendjen në shërbimin publik.

Sipas tij, përfaqësimi i barabartë i grave në administratën publike pothuajse është arritur, por mbetet ende një hendek i konsiderueshëm sa i përket barazisë gjinore në pozitat drejtuese.

Ministri u zotua për zvogëlimin e këtij hendeku dhe bëri të ditur se Kosova ka filluar të ulë përqindjen e lartë të ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese.

Një tjetër zhvillim i prezantuar ishte ndërlidhja teknike e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore me Sistemin e Menaxhimit të Pagave të Thesarit. Kjo pritet të përmirësojë saktësinë e të dhënave, të zvogëlojë procedurat manuale dhe të forcojë menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin publik.

Në përfundim të takimit, Kosova dhe BE-ja u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, përfshirë në nivel teknik, për të mbështetur zbatimin e plotë dhe sa më të shpejtë të reformave të ndërmarra.

Takimet e Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike zhvillohen në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe shërbejnë për monitorimin e progresit të Kosovës në këtë fushë, si dhe identifikimin e mbështetjes që Bashkimi Evropian mund të ofrojë në procesin e reformave./Telegrafi

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.