Rritet 57% transferimi i fitimeve jashtë, euro arrin rekord
Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rritje gjatë ditës së sotme, duke arritur në 141.1, një tjetër rekord i 21 muajve të fundit. Rritja e sotme erdhi edhe pse euro humbi pikë ndaj dollarit në tregjet ndërkombëtare, duke u këmbyer me 1.125 dollarë. Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për euro në tregun e brendshëm vijon të jetë e lartë, pasi gjysma e parë e vitit përkon dhe me periudhën kur kompanitë e huaja transferojnë fitimet.
Sipas statistikave të fundit të Bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë rezulton se në tremujorin e parë të vitit fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ka regjistruar 66 milionë euro kundrejt 42 milionë euro një vit më parë, kryesisht në formën e pagesave të dividentëve dhe vlerës së fitimit të riinvestuar pjesë e investimeve direkte në Shqipëri.
Ky është viti I dytë radhazi që ky zë po rritet me ritme të shpejta, pas rënies në 2013-n.
Sistemi bankar në 2014-n ka rezultuar me fitim të lartë rekord, rreth 80 mln euro, duke investuar një pjesë të tyre në rritjen e kapitalit, dhe duke dhënë ndikimin në rritjen e investimeve të huaja, ndërsa një pjesë tjetër duket se po e transferon tek mëmat. Edhe dy operatorët më të mëdhenj celularë, AMC dhe Vodafone, ndonëse në rënie, po u gëzohen fitimeve të larta që kanë nga aktiviteti i tyre në Shqipëri. Sipas të dhënave nga AKEP, fitimi I të dy kompanive së bashku në 2014-n ishte rreth 28 milionë euro.