Politika

Rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë, propozohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i refuzojë partive politike listat shumëemërore në zgjedhjet e 21 qershorit në rast se ato nuk respektojnë kuotën gjinore duke përfshirë një kandidate grua në çdo tre kandidatë.
graKy është një ndryshim në kodin zgjedhor, i propozuar nga Aleanca e Grave Deputete, konkretisht nga deputetet Mesila Doda(PD), Mimoza Hafizi(PS) dhe Silvana Caka(LSI), në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme. Drafti me 5 nene tenton të rrisë ndjeshëm, të paktën në nivelin 20%, numrin e kryetareve gra të bashkive të vendit.
Neni 3 i pr/ligjit e rrit numrin e grave në listat shumëemërore nga 30% në 40% dhe për më tepër, kërkon që numri i tyre në lista të jetë i barazshpërndarë dhe jo, siç ka ndodhur shpesh, që gratë të jenë të vendosura në fund të listës dhe praktikisht e kanë pasur të pamundur të bëhen pjesë e trupave të tilla të rëndësishme politike si parlamenti dhe këshillat bashkiake, thuhet në relacionin shoqërues të pr/ligjit.
Ndërsa nenet 4 dhe 5 të draftit të propozuar shmangin mosaplikimin e zbatimit të nenit 3 përmes pagesës së një gjobe, siç ka ndodhur deri më sot me kodin aktual.
Shqipëria vitet e fundit, e nxitur dhe nga proceset integruese europiane, është angazhuar për rritjen e nivelit të pjesëmarrjes së grave në politikë, të cilat realisht janë ende në kuota të ulëta përfaqësimi në proceset vendimmarrëse. Megjithë zhvillimet pozitive, gratë në vendin tonë kanë akoma një pjesëmarrje të ulët në parlament dhe përfaqësim akoma më të ulët në pushtetin vendor.
Tendencat për krijimin e politikave pozitive në këtë drejtim janë pasqyruar në kodin elektoral të vitit 2009 dhe ndryshimeve të tij në vitin 2012, ku u bënë përpjekje për përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar në kuotën minimale 30%.
Për fat të keq, miratimi dhe më pas implementimi i ligjit nuk solli rezultatet e dëshiruara dhe përfaqësimi i gruas në pushtetin lokal dhe në nivel parlamentar ka mbetur ende i ulët.
Kështu, megjithëse gruaja përfaqëson 49% të strukturës aktuale të popullatës, niveli i përfaqësimit të saj është thuajse 1% ne autoritetet e zgjedhura të pushtetit lokal dhe rreth 20% në legjislativ, pas zëvendësimit të mandatit të ministrave, procedurë e cila në disa raste solli rritjen e pranisë së gruas në parlament.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button