Ekonomia

Rritja ekonomike për vitin 2014 parashikohet 2.1 %

rritje ekonomikeZhvillimet makroekonomike gjatë gjysmës së parë të vitit 2014, bazuar në treguesit e disponueshëm, duket se janë në linjë me parashikimet fillestare për ecurinë gjatë vitit 2014. Pritet që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) për vitin 2014 të jetë rreth 2.1 për qind. Aktiviteti ekonomik ka treguar shenja rimëkëmbjeje gjatë gjysmës së parë të vitit 2014. Në 3-mujorin e I-rë të vitit 2014 ekonomia shqiptare shënoi një rritje pozitive prej rreth 1.7 për qind. Sektori i “industrisë nxjerrëse” ka udhëhequr aktivitetin ekonomik gjatë kësaj periudhe me një rritje reale prej rreth 41.6 për qind, pasuar nga “posta dhe komunikacioni” dhe “bujqësia” në rritje në terma realë respektivisht prej rreth 3.6 dhe 3.1 për qind. Gjatë 3-mujorit të I-rë të vitit 2014 kontribut pozitiv dhanë edhe sektorët si: “tregti, hotele dhe restorante” dhe “shërbime të tjera” me një rritje reale respektive prej rreth 2.7 dhe 2 për qind. Ndërsa sektori që ka patur tkurrje përgjatë kësaj periudhe ka qenë nën-sektori i “industrisë përpunuese”, me -9.9 për qind. Ende nuk janë publikuar statistikat për rritjen gjatë T2-2014, por bazuar në indikatorët e tjerë të disponueshëm duket se ekonomia ka vijuar të përshpejtojë ritmet e saj edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit. Siç reflektohet edhe nga Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, duket se pasiguritë në perceptimin e agjentëve ekonomikë janë ulur dhe kanë çuar në një rritje të kërkesës së brendshme, si të konsumit ashtu edhe të investimeve. Ndërkohë kërkesa e jashtme gjatë kësaj kohe thuajse nuk ka dhënë kontribut në rritjen ekonomike, si rrjedhojë e rritjes më të shpejtë të importeve krahasuar me eksportet. Përshpejtimi i rritjes ekonomike, si dhe gjenerimi i saj kryesisht prej kërkesës së brendshme përgjatë gjysmës së parë të vitit, mbështet edhe prej një sërë treguesish të tjerë indirekt.
Pas një kohe të gjatë me rënie, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) shënoi nivelin 96.1 në T2-2014 me një rritje prej 5.6 pikësh nga tremujori i kaluar, ndërsa në krahasim me T2-2013 ka një rritje të fortë prej 24.5 pikë përqindjeje. Ky tregues tashmë është rikthyer në një nivel prej rreth 4.3 pikë përqindjeje mbi mesataren e 6 viteve të fundit (2008-2013) dhe qëndron lehtësisht poshtë mesatares afatgjatë. Të gjithë nën-indikatorët e këtij treguesi për të gjithë sektorët që ai mbulon (industri, shërbime, ndërtim, tregti dhe për konsumatorët) kanë patur rritje gjatë T2-2014 dhe një pjesë e tyre janë kthyer mbi mesataren afatgjatë.
Indeksi i Tregtisë me Pakicë, i cili është një “tregues proxy” për konsumin e mallrave, tregon gjithashtu për një rigjallërim të konsumit. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 ky indeks u rrit me 5.7 % në terma volumi krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm. Ndërsa në terma vlere, ai shënoi një rritje prej 7.6 %.
Duket se edhe investimet private kanë patur një rritje të dukshme gjatë gjysmës së parë të vitit. Kjo reflektohet nga ecuria e importit të mallrave kapitale, makineri e pajisje dhe materiale ndërtimi, të cilat gjatë periudhës janar-korrik kanë patur një rritje respektivisht prej 8 % dhe 11.5 % krahasuar me një vit më parë, të cilat tregojnë për një ripërtëritje të investimeve private në ekonomi, ndërkohë që investimet publike kanë qenë ndjeshëm më të ulta se një vit më parë. Kjo kategori mallrash të importit kanë qenë dhe një prej kontribuesve kryesorë të rritjes së importeve totale gjatë gjysmës së parë të vitit dhe zgjerimit të defiçitit të llogarisë tregtare. Ndërkohë që eksportet kanë vijuar të rriten me rreth 7.6 % gjatë shtatë muajve të parë të vitit kundrejt një viti më parë, brenda të cilave spikasin eksportet e industrisë “fason” dhe ato të mallrave bujqësore, importet totale janë rritur me rreth 8.2 % gjatë kësaj periudhe, duke çuar në një zgjerim prej rreth 8.9% të deficitit tregtar. Nga ana tjetër importet e mallrave ushqimore, pijeve dhe duhanit kanë patur një rënie. Kjo rënie, e mbështetur dhe nga rritja e prodhimit bujqësor, si dhe rritja e eksporteve të kësaj kategorie, dëshmon për ecurinë e mirë që po kalon sektori i bujqësisë dhe agro-përpunimit në tërësi, ku përveç eksporteve më të larta, një pjesë e mallrave të importit gjithnjë e më tepër vijojnë të zëvendësohen nga prodhimi vendas.
Edhe treguesit financiar suportojnë këtë vlerësimin për një ecuri më dinamike të ekonomisë gjatë gjysmës së parë të vitit. Këtu do të veçohej kredia. Pas një viti me kontraktim, gjatë tre muajve të fundit (maj-korrik) stoku i kredisë është rritur në vlerë absolute kundrejt muajve paraardhës dhe në korrik të këtij viti rritja relative në përqindje kundrejt korrikut të një viti më parë kaloi në terren pozitiv prej 0.5 %. Në të njëjtën kohë, kjo ecuri e kreditimit në ekonomi është në linjë me atë që raportohet nga sistemi bankar sa i takon lehtësimeve të kushteve të kreditimit dhe rritjes së kërkesës për kredi gjatë tremujorit të dytë dhe pritshmëritë për tremujorin e tretë. Po ashtu edhe normat e interesit të kredisë kanë njohur rënie. Tashmë norma mesatare e interesit të kredive, për të gjitha llojet e maturiteteve, qëndron në nivelin prej rreth 8.5 %, nga rreth 12 % që rezultonte në fillim të vitit 2013.
Njëkohësisht, edhe niveli i kredive me probleme nuk ka patur rritje të mëtejshme, që prej tremujorit të fundit të vitit të shkuar, siç ka ndodhur thuajse sistematikisht që prej fund vitit 2009. Madje janë vënë re disa tendenca të lehta rënieje të nivelit të këtyre kredive. Niveli i kredive me probleme deri në tremujorin e parë të vitit 2014 ka shkuar në nivelin e 24.06 %, duke pësuar një rënie prej 0.02 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013 ka shënuar një rënie prej 0.33 pikë përqindje.
Tentenca e inflacionit, veçanërisht gjatë tre muajve të fundit, implikon gjithashtu për një përshpejtim të konsumit, në një kohë kur presioni prej inflacionit të importuar ka qenë në nivele mjaft të ulëta, ndërsa monedha vendase ka qëndruar përgjithësisht në të njëjtin nivel kundrejt valutave të huaja kryesore. Norma e inflacionit në muajin gusht të këtij viti arriti në 2%, duke u rritur gradualisht prej nivelit 1.5 % të muajit qershor. Duket se kjo rritje e kërkesës së brendshme nuk është ushqyer nga stoku i akumuluar i kursimeve, pasi depozitat kanë vijuar të rriten gjatë gjysmës së parë të këtij viti, madje ajo është përshpejtuar disi gjatë tre muajve të fundit duke arritur në 2.4 % në korrik të këtij viti.
Reflektimi i kësaj ecurie të ekonomisë është veçanërisht i rëndësishëm në tregun e punës. Është një prirje e njohur që tregu i punës dhe shkalla e papunësisë ndjekin ecurinë e ekonomisë me një vonesë kohore. Deri në tremujorin e parë të këtij viti norma e papunësisë ka vijuar të rritet duke kulmuar në nivelin prej 18.6 %. Ndërkohë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, sipas Anketës së Forcave të Punës, shkalla e papunësisë shënoi për herë të parë një rënie të nivelit të saj, pas një periudhe rritje më tepër se dy-vjeçare. Shkalla e papunësisë rezultoi 17.7 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, me një ulje prej 0.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm (T1-2014), ndërkohë që vijon të jetë ende 1.3 pikë përqindje më e lartë se norma e papunësisë e një viti më parë (T2-2013).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button