Ekonomia

“Rruga e Kombit”, shtyhet afati i dorëzimit të kërkesës për kualifikim

Kompanitë që do të shprehin interes për të marrë me koncesion ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ‘Rrugës së Kombit’ do të kenë afat deri në 30 maj për të dorëzuar ofertat. Në momentin e dorëzimit të ofertës, ofertuesve të mundshëm do t’u kërkohet të dorëzojnë një sigurim oferte në shumën prej 250.000 euro.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës shpalli sërish në muajin shkurt ofertën për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë, që lidh Durrësin me Prishtinën, rreth 60 km.

“Qeveria e Shqipërisë, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës (MTI), do të japë një koncesion/PPP ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë”, thuhet në ftesën për ofertë publikuar në faqen zyrtare të MTI-së. Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar.

Sipas MTI-së, objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari i ardhshëm do të të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.

Autostrada është pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare dhe përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në veri lindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë – Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën.

Pak muaj më parë u anulua tenderi ku dy kompani paraqitën ofertat e tyre, që u konsideruan të papranueshme nga autoritetet shqiptare për shkak të kostove të larta.

Qeveria shqiptare e pati shpallur edhe në fillim të vitit të shkuar ofertën për dhënien me partneritet publik privat ndërtimin, mirëmbajtjen dhe operimin e rrugës “Milot-Morinë”. Në datën 29 tetor u hapën ofertat e paraqitura nga dy ofertues, kompani kineze “China Communication and Construction Company” dhe konsorciumi i kryesuar nga turqit “Vendeka Bilgi”. Në datën 02.11.2015 ora 16.00 u hapën ofertat financiare.

Pas hapjes se ofertave financiare komisioni i vlerësimit asistuar nga Banka Botërore, nëpërmjet Koorporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), konkludoi që ofertat e paraqitura në garë bien ndesh me interesin publik, duke qenë që janë dy herë më të larta se pritshmëritë. Ne këto kushte, MTI, sqaroi se mbi sugjerimin e IFC, komisioni vendosi t’i shpallë të pavlefshme këto oferta dhe t’i refuzojë ato. Ministria njoftoi që atëherë se po vlerësonte nëse do të rishpallte të njëjtin projekt apo do të kërkonte modele të tjera, për të tërhequr investime private në këtë vepër shumë të rëndësishme të infrastrukturës rajonale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button