Rugova: Kosova detyrohet ta përpijë Gjykatën Speciale, Serbia rehabiliton Mihajlloviqin
Anëtari i LDK-së, Naser Rugova tha të premten se Kosova shtrëngohet të përpijë Gjykatën Speciale, ndërsa Serbia rehabiliton gjeneral Drazha Mihajlloviçin dhe lëvizjen e tij çetnike, përgjegjëse për shumë krime monstruoze, përfshirë edhe shumë krime në trevat shqiptare.
Lexoni të plotë postimin e Rugovës në Facebook.
“Kosova shtrëngohet të përpijë Gjykatën Speciale, ndërsa Serbia rehabiliton Gjeneral Drazha Mihajlloviçin dhe lëvizjen e tij çetnike, përgjegjëse për shumë krime monstruoze, përfshirë edhe shumë krime në trevat shqiptare.
Nuk dua të keqkuptohem: jam plotësisht në përkrahje të idesë se çdo krim duhet të ndriçohet, por nuk mund të kërkohet nga Kosova, viktimë e vazhdueshme e po këtyre lëvizjeve çetnike, që pafundësisht të bëjë kompromise dhe të rrezikojë që të barazohet me agresorin.
Si nënshkrues i deklaratës së pavarësisë dhe si pjesëtar i familjes Rugova, një nga shumë familje të Kosovës që ka dhënë dëshmorë në përplasje me këto lëvizje kriminale, pres që institucionet e Kosovës të ndjekin hapin e vendeve të rajonit dhe të reagojnë ndaj kësaj përpjekjeje demoniake për të legjitimuar rikthimin e fashizmit në Serbi. Po ashtu pres që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës fuqishëm të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare që të dënojë të gjitha krimet e lëvizjeve çetnike, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe krimet e bëra nga këto lëvizje në luftërat e viteve 90-të”.