Rumbold: Integrimi, përgjegjësi e të dyja palëve
Ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit u diskutua sot në takimin “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE – një déjà vu e parakrizës?” organizuar nga ‘Institute for Democracy and Mediation’, mbështetur nga Friedrich Ebbert Stiftung.
Të ftuar në panelin e diskutimit, ishin përfaqësues të Ministrisë së Integrimit, Parlamentit Shqiptar dhe ekspertë për çështjet e BE – së në Shqipëri.
Në këtë konferencë, një mesash dha edhe zv/kreu i Delegacionit të BE-së, Clive Rumbold, i cili deklaroi se përgjegjësinë për procesin e integrimit e kanë të zgjedhurit të të dyja krahëve, pa dallim.
“Ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë për një nivel dialogu të lartë, në mënyrë që të avancojnë reformat e pikërisht puna duhet bërë nga ju; përgjegjësia për ta çuar përpara programin e reformave i mbetet të zgjedhurve, mazhorancës dhe opozitës. Integrimi nuk është thjesht për të nxitur debatin politik, por prej tij varet e ardhmja”, nënvizoi ai.
Ndërsa kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, e ka parë me sy kritik qëndrimin e Qeverisë ndaj integrimit europian. Sipas saj, “duket se deklarata e Brukselit se për 5 vjet nuk do të ketë zgjerim me një vend tjetër, ishte një lloj komoditeti për mazhorancën,” pasi “këtu e 5 vjet do të shohim”.
“Kam frikë se Qeveria nuk e mendon si prioritar procesin e integrimin, tha Bregu në fjalën e saj, edhe për faktin se është hequr nga axhenda e diskutimeve të përditshme. Ju kujtoj vetëm një rast, rastin e Progres Raportit, që u kalua me një indiferencë të madhe nga Qeveria dhe nuk besoj se ju dëgjoni sot artikulim për çështje që kanë të bëjnë me çuarjen përpara të procesit të integrimit europian”.