Rusia dhe Osetia e Jugut: “Integrim maksimal”
Rusia dhe republika separatiste gjeorgjiane e Osetisë së Jugut fillimisht do të bëjnë një marrëveshje për kufirin e përbashkët e më vonë një aleancë. Në Gjeorgji flasin për “aneksim”.
Rusia dhe Osetia e Jugut duan të nënshkruajnë më 18 shkurt një marrëveshje për kufirin e përbashkët shtetëror. “Brenda një kohe shumë të shkurtër” do të nënshkruhet edhe një marrëveshje për bashkëpunimin dhe integriminin, bëri të ditur Leonid Tibilov, presidenti i republikës pa njohje ndërkombëtare. Projektligji i osetëve ndodhet prej disa ditësh në Moskë. Në versionin e tij aktual dokumenti përmban marrëveshjen për politikën e jashtme të përbashkët, mbrojtjen e hapësirës së përbashkët dhe lehtësimin e kontrolleve kufitare deri në heqjen e tyre.
Përveç kësaj për banorët e Osetisë së Jugut do të bëhet më e lehtë të marrin pasaporta ruse, përmbledh pikat kryesore të marrëveshjes eksperti rus për Kaukazin, Vadim Muhanov: “Dhe motoja, që mori një mbështetje të plotë në Osetinë e Jugut, ka qenë ngritja graduale e pagave të punonjësve civilë në nivelin e Rusisë”, shton Muhanov, politolog në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës. Osetia e Jugut është një nga rajonet më të varfëra në hapësirën postsovjetike.
Qëllimi i të dy palëve është “integrimi maksimal” mes Rusisë dhe Osetisë së Jugut. “Në Gjeorgji kjo konsiderohet si ligjërim i aneksimit (të Osetisë së Jugut, red,) tha në intervistë për DW, politologu gjeorgjian Ramas Sakvarelidze, i cili ka punuar edhe si këshilltar i ish-presidentit Mikhail Sakashvili.
“As njëra dhe as tjetra”
Në Rusi fjala “aneksim” hidhet poshtë si e gabuar, lidhja faktike e Osetisë së Jugut me Rusinë mohohet gjithashtu si e pasaktë. “Deri tani askush në qeverinë ruse nuk ka thënë se ekziston ky synim”, tha në një intervistë me DW Vadim Muhanov. Vendimi i Moskës për të njohur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut si shtete të pavarura në 2008 kishte arsye të tjera, thotë eksperti rus: “Pjesë të këtyre detyrave janë plotësuar: Vetëm pak kush mund të mohojë që situata e sigurisë është përmirësuar dhe se numri i perplasjeve në kufirin e Gjeorgjisë me Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut është ulur.”
Eksperti gjerman Uwe Halbach nga fondacioni “Shkencë dhe Politikë” e quan Osetinë e Jugut “protektorat rus”. Ta quash atë një shtet të pavarur, siç bëjnë diplomatët në Moskë nuk është gjë tjetër veçse një trillim, thotë Halbach: “Ai as de facto nuk është shtet. Problemi i dy krijesave, të shkëputura nga Gjeorgjia, është se ato nuk janë as shtete të pavarura dhe as pjesë përbërëse të Gjeorgjisë, siç i quan bashkësia ndërkombëtare.”
Një barrë në kohë krize
Nga pikëpamja financiare Osetia e Jugut nuk është e pavarur: Rreth 90 përqind e parave në buxhetin e shtetit të republikës së papranuar ndërkombëtarisht duhet t’i vërë çdo vit në dispozicion Moska. Osetia e Jugut është më e vogla e krijesave separatiste, që i kushton Moskës më së pakti, thotë Halbach. Shpenzimet relativisht të ulëta (rreth 90 milion euro në vit) është lehtë të shpjegohen: territori i vogël dhe pak njerëz. Nuk ka shifra të sakta për popullsinë, ato variojnë nga 35.000 në 70.000.
Megjithatë barra e ndihmave për rajone të tilla është më e rëndë në kohë krize, pohon Halbach. Sepse janë edhe shpenzimet për rajonet e veta në Kaukaz. “Edhe 82% e buxhetit në Çeçeni finanzohet nga Moska. Të gjitha këto së bashku ndjehen.”
Në Rusi e njëjta problematikë komentohet ndryshe: “Për fat të keq askush përveç Rusisë nuk është i gatshëm t’i japë ndihmë financiare Osetisë jugore”, pohon Muhanov. Ai kujton faktin se Gjeorgjia në vitet 90-të e ka njohur përgjegjësinë e saj për konfliktin në Osetinë jugore, (lufta 1990-1992, red.) dhe është angazhuar për ta rindërtuar republikën. Sipas deklaratëas Tbilisi dhe Moska duhet t’i ndanin shpenzimet. “Një e treta i binte Rusisë, dy të tretat Gjeorgjisë. Gjeorgjia nuk ka dhënë asgjë”, thotë Muhanov.
“Idetë bëhen gjithnjë e më difuze”
Sot në Gjeorgji afrimi i mëtejshëm i Osetisë jugore me Rusinë shihet me qetësi: “Ne i kemi jetuar tashmë emocionet tona, kur u nënshkrua një marrëveshje e ngjashme me Abhazinë”, thotë Ramas Sakvarelidze. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih kryeministri gjeorgjian, Irakli Garibashvili, tha se Tbilisi nuk ka marrë një “përgjigje adekuate” nga Moska në këmbim të ndryshimit të politikës së tij ndaj republikës separatiste. Vetëm ekonomikisht ka “një farë progresi”.
“Deri në vitin 2012 Rusia e ka kritikuar retorikën agresive nga Tbilisi. Nga kjo retorikë u hoq dorë”, thotë Sakvarelidze. Por edhe Gjeorgjia ka kërkesat e veta. “Këtu bëjnë pjesë çmilitarizimi i rajoneve, ku ndodhen tani trupat ruse dhe revokimi i njohjes së territoreve, që Tbilisi i konsideron si pjesë të shtetit të tij. Por Rusia nuk do të flasë lidhur me këtë. Në këtë kontekst është e vështirë të pohohet se Rusia i vë rëndësi marrëdhënieve të mira me fqinjët”, thotë Sakvarelidze.
Tbilisi ka deklaruar disa herë se do ta ndryshojë politikën e tij ndaj abhazëve dhe osetëve, por përtej deklaratave nuk ndodh asgjë”, kundërshton Muhanov. Udhëheqja politike në Gjeorgji ka hyrë në qorrsokak, duke i shpallur të pushtuara territoret në fjalë dhe tani e njeh pak situatën aktuale në Osetinë e Jugut, thotë eksperti rus. “Mendimet e gjeorgjianëve për Osetinë e Jugut po bëhen gjithnjë e më të paqarta. Por në qoftë se shkoni atje, do të shihni se ka struktura pushteti, që kanë kontroll mbi situatën. Por pala gjeorgjiane nuk do të bisedojë me to. Atëherë çdo gjë mbetet ashtu siç është”, thotë Muhanov. Prej shumë vitesh nuk ka kontakte të drejtpërdrejta midis Tbilisit dhe udhëheqjes së republikave separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, duke lënë mënjanë të ashtuquajturat bisedime të Gjenevës, pasi ato nuk bëjnë përparime të vërteta, thekson Uwe Halbach.