Bota

Rusia fajëson “rrethanat tragjike” për sulmin sirian mbi avionin rus

Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se “një zinxhir rrethanash tragjike” është përgjegjës për sulmin sirian me raketa që shkaktoi rrëzimin në Detin Mesdhe të një aeroplani rus të zbulimit ushtarak.

Komentet e Presidentit Putin erdhën disa orë pasi ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se ishin veprimet “armiqësore” të pilotëve izraelitë që i bënë sistemet e mbrojtjes ajrore siriane të rrëzonin aeroplanin rus. Zoti Putin nuk e kritikoi Izraelin, por tha se e mbështet deklaratën e ministrisë së tij të mbrojtjes.

Ai premtoi të rrisë sigurinë për trupat ruse në Siri, duke thënë se Rusia do të ndërmarrë “masa që do të shihen nga të gjithë”.

Zëdhënësi i ushtrisë ruse gjeneral-major Igor Konashenkov tha sot se ndërsa forcat izraelite po kryenin një sulm në provincën Latakia të Sirisë ato u fshehën pas aeroplanit rus, duke e përdorur si mburojë për t’iu shmangur raketave siriane.

Zëdhënësi tha se një raketë S-200 rrëzoi aeroplanin rus, duke vrarë 15 vetë.

Izraeli dhe Rusia përdorin prej disa vitesh një linjë të posaçme telefonike për të njoftuar njëri-tjetrin mbi veprime të caktuara ushtarake në rajon për të parandaluar përplasjet mes tyre. Por zëdhënësi tha se Izraeli e njoftoi Rusinë vetëm një minutë përpara për operacionin e tij, duke bërë që aeroplani rus të mos kishte kohë për të dalë nga zona.

Ai i quajti veprimet e Izraelit “të papërgjegjshme” dhe tha se Rusia do të kundërpërgjigjej me masat e duhura.

Ushtria izraelite e hodhi poshtë akuzën e Rusisë për përdorimin e avionit rus si mburojë, duke thënë se avioni “nuk ishte brenda zonës së operacionit” kur u godit. Ajo thanë gjithashtu se “kur ushtria siriane lëshoi raketat që goditën aeroplanin rus, avionët izraelitë ishin tashmë në hapësirën ajrore të Izraelit”.

Ushtria izraelite fajësoi grupin militant Hezbollah dhe Iranin për rrëzimin e aeroplanit dhe shprehu hidhërim për vdekjen e ekuipazhit rus.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button