Bota

Rusia i kërkon SHBA-së Viktor Bout, për të burgosurit amerikanë

Rusia shpreson se mund të arrijë një marrëveshje për këmbim të burgosurish me SHBA që do të përfshinte trafikantin famëkeq të armëve Viktor Bout, i njohur ndryshe edhe si Tregtari i Vdekjes. Kjo është hera e parë që zyrtarë rusë apo amerikanë kanë thënë publikisht se Bout mund të jetë pjesë e një shkëmbimi të burgosurish. Zëvendës ministri i jashtëm rus, Sergei Riabkov tha të premten se ai mendonte se perspektiva e një këmbimi është forcuar. SHBA më herët ka thënë se do të donte të organizonte një këmbim të burgosurish për të liruar lojtaren amerikane të basketbollit Britney Griner.

Ajo është dënuar për posedim droge në gusht pasi iu gjet në cantë vaj kanabisi ndërkohë që ajo përpiqej të hynte në Rusi. Fituesja e dyfishtë e medaljeve olimpike është dërguar në një koloni penale në një rajon të largët në juglindje të moskës. Të premten, Riabkov tha se një emërues i përbashkët nuk është gjetur ende mes SHBA dhe Rusisë por nuk mund të mohohet që Viktor Bout është mes personave që po diskutohen për shkëmbimin dhe moska pret një rezultat pozitiv. Bout, një ish oficer i forcave ajrore sovjetike, u ekstradua nga Tajlanda në SHBA në 2010-ën pas një operacioni të agjencisë amerikane kundër drogave, DEA. Një nga trafikantët më të mëdhenj të armëve në botë, bëmat e tij janë aq të famshme sa që kanë frymëzuar edhe një film të hollivudit dhe i kanë dhënë atij edhe një nofkë.

Ai është dënuar me 25 vite burg pasi u shpall fajtor për konspiracion për të vrarë qytetarë dhe zyrtarë amerikanë duke i dhënë raketa anti ajrore një organizate terroriste. Ka patur raporte se edhe një tjetër i burgosur amerikan mund të përfshihet në një shkëmbim të mundshëm të burgosurish, dhe bëhet fjalë për Pol Uilan. Ish marinsi amerikan, i dënuar si spiun, ka kohë që ndodhet në një kamp pune në rusi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button