Rusia sulmon Akademinë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës, vritet një person
Forcat ruse goditën të hënën Akademinë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës në Kiev, ndërsa një valë e re sulmesh në disa pjesë të vendit la të paktën shtatë persona të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.
Ministri ukrainas i Arsimit dhe Shkencës, Andrii Butenko, tha se pas sulmit në selinë e Akademisë shpërtheu një zjarr. Sipas tij, disa persona mbetën të bllokuar brenda ndërtesës, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën operacionet për evakuimin e tyre.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës raportoi se një person humbi jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën në sulm. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan ndërtesën të përfshirë nga flakët dhe tymi, ndërsa zjarrfikësit punonin në vendngjarje.
Butenko akuzoi Rusinë se, duke goditur infrastrukturën arsimore dhe shkencore, synon të dëmtojë funksionimin e institucioneve ukrainase.
Në Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se sulmet e së hënës plagosën 19 persona, mes tyre tre fëmijë.
Ndërkohë, në rajonin e Kievit, tre persona, përfshirë një shtetas të Azerbajxhanit, u vranë gjatë sulmeve ajrore gjatë natës dhe tetë të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve lokale.
Në Dniepro, në Ukrainën lindore, një sulm me dron vrau tre persona dhe plagosi 12 të tjerë. Sipas shërbimeve të emergjencës, sulmi shkaktoi zjarr në një ndërtesë administrative, ndërsa ekipet e shpëtimit evakuuan persona të bllokuar në katet e sipërme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.