Rusisë, por jo me dashuri
Te Shtëpia e Takimeve na tërheq pa masë një personazh i neveritshëm, në këtë rast një rrëfyes pa emër, rus, 84-vjeçar, i cili, gjatë një pelegrinazhi në Siberi në shtator të vitit 2004, i shkruan një letër vajzës së gruas amerikane ku ftillon tmerret e jetës së tij rinore, sidomos dhjetëvjeçarit të kaluar në burg si armik i popullit
NGA SIMON HOUPT
Mos prisni të qeshura nga romani i ri i autorit Martin Amis që i vendos ngjarjet në periudhën staliniane. “Përpos kësaj”, shprehet ai, -“ky është një libër i cili do të bëjë që në Angli të më urrejnë përsëri”. Teksa Martin Amis ngul sytë mbi menu, në hotelin luksoz “Royalton Hotel”, shpërvjel lehtë buzën e sipërme. -Djathëra artizanalë, -lexon ai, duke i dhënë mbiemrit një shqiptim aq tipik amerikan, sa duket si një falseto e këndshme. -Nuk ju pëlqen fjala ‘artizanal? -vazhdon ai. -Është një lloj Gucci. Një lloj respektueshmërie e rremë dhe shpërfillëse, në të njëjtën kohë. Këtu mund të ndieni që një refren i hidhur shpërthen plot jetë, si diçka e marrë nga epoka e Amisit në vitet 1980 me satirën te vepra Paraja, ose me parodinë mbi unin e një mesoburri në veprënInformacioni (1995), dhe ai tallet me mundësitë duke ironizuar me “djathëra proletarë”. Por pastaj përmbahet, sikur ndien që nuk i takon të vazhdojë në atë mënyrë, sepse këtu ndodhet që të flasë për një roman në të cilin dy personazhet kryesore, të burgosur me vite në gulagun stalinist, nuk kanë as bukë, lëre më djathë, qoftë ky proletar apo i ndonjë lloji tjetër. (Gjithsesi, Amisi ia lejon vetes të shijojë një gotë verë Chardonnay dhe një pjatë me produkte deti.) Për ata që Amisin e njohin kryesisht për veprën e tij komike të zymtë, Shtëpia e Takimeve do të duket si ndryshim i errët, por aspak për të qeshur. Teksa shkruan për një mikeshë kampi, rrëfyesi gjysmë i uritur i Amisit thotë: – I vetmi impuls i ngjashëm me dëshirën që më zgjonte Tanja, ishte një shtysë e çastit që t’i haja kopsat e këmishës bërë prej topthash buke. Amis e ka prekur temën më parë, me librin e tij Koba i Tmerrshëm, në të cilin pavarësisht se nuk kishte shkelur kurrë në Rusi, ofroi një portret të gjallë satirik të vendit dhe udhëheqësve të tij cinikë, sidomos Stalinit, nga vitet 1920 deri në ato 1950. Ashtu si në romanin me temën mbi holokaustin, Shigjeta e Kohës(1991), ku figura kryesore është një mjek nazist, në librin Shtëpia e Takimeve na tërheq pa masë një personazh i neveritshëm, në këtë rast një rrëfyes pa emër, rus, 84-vjeçar, i cili, gjatë një pelegrinazhi në Siberi në shtator të vitit 2004, i shkruan një letër vajzës së gruas amerikane ku ftillon tmerret e jetës së tij rinore, sidomos dhjetëvjeçarit të kaluar në burg si armik i popullit. Rrëfimi formon strumbullarin e librit të Amisit: Pasi ka shërbyer si anëtar besnik i Ushtrisë Sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën e mbylli duke çarë udhën përmes Gjermanisë e duke përdhunuar bashkë me shokët e tjerë, rrëfyesi ynë u ka ngjallur autoriteteve dyshime dhe gjendet në ferrin e dhunshëm, të qelbur, kallkan mbi Rrethin Arktik. Ndërkaq, në kamp mbërrin edhe gjysmëvëllai i tij, Lev, i cili mbart edhe kumte dëshpëruese: Është martuar me Zojën, një hebreje tmerrësisht seksi dhe e vetmja grua që ka dashur rrëfimtari ynë.
Por, edhe pse do që t’i zërë Levit vendin, si vëlla i madh që është, rrëfyesi ynë e mbron në kamp duke e mbrojtur disa herë nga rrahje të dhunshme. Derisa dyert e kampit hapen pas vdekjes së Stalinit. Shëndeti i Levit rrëgjohet, kurse rrëfimtari ynë çel i tëri, pasurohet dhe më në fund tradhton e ikën në Amerikë. Ndarja mes Perëndimit dhe Rusisë është një nga temat kryesore të Amisit: ndërsa rrëfimtari shpjegohet dhe kërkon falje, ai përbuz idenë e të qenët i gjykuar nga dikush i cili nuk do ta kuptojë kurrë cinizmin që është në ADN-në e një rusi. Duke e theksuar këtë gjë edhe më tej, ngjarjet e përditshme në libër ngërthehen me ndodhinë e pengmarrjes në shkollën Beslan, bashkë me fundin tmerrësisht të kobshëm.
-Nëse si popull, nuk keni pasur as liri, as përgjegjësi për 1.000 vjet, -kohëzgjatja e shtetit rus, -atëherë e gjithë ideja e përgjegjësisë, ideja e skrupullit topitet.
-Sa herë që ndieja se nuk kisha shumë motivim, ngrija supet dhe thosha [për rrëfyesin]: Ai është rus. E dini? E gjithë ideja e shkakut dhe efektit, ashtu sipas të kuptuarit tonë, nuk gjen zbatim në rastin e rusëve. Ky është libri më i ashpër që ka shkruar Amis.
-Vështirësia ishte përligjje, e drejtë për të folur për një viktimë, -thotë ai. -Pothuajse çdo skenë m’u desh ta nis nga fillimi, ta skalis nga vetvetja. Më dukej sikur libri më lutej ta braktisja.
Megjithatë, ai përsëri shkonte me ngulm në studion e tij në Montevideo, Uruguai, ku është shpërngulur bashkë me të shoqen Izabelë Fonseka dhe dy vajzat e vogla, si për të platitur padurimin dhe sikletin. Kjo ndodhte pothuaj dy vjet më parë. Një natë, ishte në shoqërinë e shkrimtarëve, të cilët po flisnin për artin e tyre ‘dhe papritur mendova që nuk jam më ndër radhët e tyre. Ka mbaruar gjithçka. Unë nuk jam më shkrimtar… Dhe ditën tjetër fillova të kthjellohesha dhe mendova se i kishte ardhur fundi gjithçkaje. Ndërsa shfaqet në holl, të duhet pak kohë të mësohesh me fantazmën e Amisit. Shumë nga fotot e reklamave rreken të kapin diçka nga individualiteti prej djaloshi zemërak që ai trashëgoi nga i ati Kingslej, që do të thotë: rinor dhe i zemëruar. Por tani ai është 67 vjeç dhe flokët po i zbardhen anash; ngjan si një tetëvjeçar i futur me pahir në një dramë shkolle për të luajtur rolin e njërit prej etërve themelues, e mbi të cilin një mësues i zellshëm nuk e ka kursyer dorën për të hedhur pudër të bardhë. Gardëroba e tij me xhaketë dhe jelek, paksa më e mbajtur në rininë e tij, tani është thjesht kostum i zakonshëm i burrave të moshës së tij. Po zemërimi? Amisi kaloi pjesën më të madhe të kohës duke parë anash, drejt një cepi të zbrazur të hollit, ndaj ata sy, që duken si të çeliktë kur nguliten nga pas kapakut të librave të tij, shkëputen prej andej sikur shfaqin pasiguri e ndjesë.
Por, gjatë pak viteve të fundit, nuk gëzon më atë emër që ka pasur më parë. Librat që publikoi nën një kontratë mjaft të majme me “Talk Miramax Books” nuk solli atë që pritej, përfshirë këtu edhe romanin e tij të fundit e tepër të kritikuar të vitit 2003, Qeni i Verdhë. Kështu, për njëfarë kohe, Amisi ndihej aq i pasigurt për veprën Shtëpia e Takimeve, aq në pozita mbrojtëse, sa planifikoi ta përfshinte me dy tregime dhe një ese. Megjithatë, shumë pak para publikimit e rilexoi të printuar dhe i dha romanit bekimin e tij. Sikur të kthehej nga ringu me një shkëndijë të re jete, Amisi tani pothuajse e ka mbaruar romanin e ardhshëm. Titullohet Vejusha Shtatzënë dhe trajton temën e feminizmit. Titulli ka lidhje me intelektualin rus, Aleksandër Herzen, i cili ka thënë se rezultati i një revolucioni është si një vejushë shtatzënë: Babai ka vdekur, kurse fëmija nuk ka lindur ende. -Kështu është edhe me feminizmin, -thotë Amis. -Është ende në gjashtëmujorin e vet. Kur vjen në moshën time, do të dish se çfarë ka ndodhur në histori sa ke qenë gjallë. Dhe një nga gjërat më të mëdha që ka ndodhur ishte revolucioni seksual dhe ngritja e gruas, -thotë ai. -Në të ka edhe pak nga im atë. Shumë nga [Filip] Larkini, nga Saul [Bellou], Hiçi [Kristofer Hiçens] dhe nga Selman Rushdie, të gjithë të njohur nga afër. Mendoj se gjithkujt në jetën e tij i lejohet një roman i tillë ku të shfaqë lakuriq përvojën për të provuar e ilustruar disa gjëra. -Libri, -premton ai, – do të jetë “verbërisht autobiografik”. Do të bëjë që të tjerët në Angli të më urrejnë përsëri. Sa për gjasat se pritet që ai të bëhet shënjestra e më shumë urrejtjesh, Amisit duket se kjo pritshmëri i pëlqen. -Para gati 30 vjet më parë, ka qenë një çast i paharruar me Kristofer Hiçens. Ishim në një restorant të vogël në pritje të hanim darkë, kur brenda u futën disa hipi buzëshpërvjelë, me veshje shik e flokë të gjata. Po organizonin njëfarë mbrëmjeje dhe po rregullonin tryezat. Një prej tyre na u afrua, u ul galiç para nesh, na vështroi me një pamje shpërfillëse, lajkatuese që jam i sigurt se kishte magjepsur shumë njerëz të tjerë përpara nesh dhe tha: -Ju do të më urreni për këtë gjë. Kurse Hiçens ia ktheu: -Që tani po të urrejmë. -Kështu, -thotë Amis, duke folur për librinVejusha Shtatzënë: -Ata do të më urrejnë për këtë. Por ata kanë filluar të më urrejnë që tani.