Te ndryshme

Sa e rëndësishme është Magna Carta pas 800 vjetësh?

 Këtë vit njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Kanada, Australi, Zelandën e Re dhe në shumë vende të tjera do të festojnë 800-vjetorin e Magna Carta. Dokumenti vlerësohet për krijimin e një parimi themelor të të drejtave të njeriut 

magnakarta3Një libër i ri rreth Magna Carta (Kartës së Madhe) është publikuar së fundmi dhe pretendon se ofron një vështrim të ri në një prej dokumenteve më të njohura të historisë britanike dhe jo vetëm.

Ky vit shënon 800-vjetorin e nënshkrimit të Kartës më 15 qershor 1215 në Ranimidit (Runnymede) në brigjet e Tamizit mes Uinsdorit dhe Stejnzit (Staines).

Libri i botuar prej David Carpenter, profesor i historisë mesjetare në “King’s College” në Londër, përmban një përkthim të ri të Kartës së Madhe dhe më shumë se 500 faqe të sfondit historik dhe komente.

Karta u nënshkrua mes Mbretit Xhon dhe një grupi baronësh, të drejtuar nga Robert Fitzwalter, të zemëruar nga sundimi arbitrar dhe taksat e larta. Ishte në fakt një traktat paqeje i projektuar për të shmangur konfliktin e armatosur. Nuk ia doli.

Shumica e Kartës së Madhe është e pakuptueshme për lexuesit modern, për shkak të zhargonit mesjetar dhe detajeve të marrëdhënieve mes mbretit dhe vartësve të tij më të fuqishëm feudalë. Risia më domethënëse e Kartës, ishte një ‘klauzolë e sigurisë’ në të cilën mbreti do të mbikëqyrte një panel prej 25 baronësh, gjë që nuk u zbatua.

Por dokumenti shpejt fitoi një vend qendror në jetën politike angleze dhe mbetet një gur themelor i lirive angleze. Megjithatë, pak veta e kanë lexuar Kartën e Madhe.

Ky vit do të festohet gjerësisht. Televizionet do të transmetojnë dokumentarë për këtë temë, ndërsa radiot ndërkombëtare do të prezantojnë emisionet e tyre për Mbretin Xhon dhe Kartën.

Çfarë ishte Magna Carta?

magnakarta1Magna Carta përcaktoi të drejtat themelore me parimin që askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe vetë mbretin.

Karta parashikoi të drejtën e një gjyqi të ndershëm dhe kufizoi taksimin pa përfaqësim.

Ajo frymëzoi disa dokumente të tjera, përfshirë Kushtetutën e SHBA-së dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Vetëm tri klauzola janë ende të vlefshme, njëra garanton lirinë e Kishës Angleze, njëra konfirmon privilegjet e Londrës dhe qyteteve të tjera dhe klauzola e fundit deklaron se asnjë njeri i lirë, nuk mund të burgoset pa një gjykim të ligjshëm nga të barabartët e tij.

Biblioteka britanike ka dy kopje të Kartës së Madhe të 1215.

Një kopje origjinale zotërohet nga Katedralja Linkoln dhe një tjetër nga Katedralja Salisbury.

Festimet

magnakarta2Një delegacion i 800 avokatëve amerikanë do të vizitojnë Ranimidin dhe do të mbahen aktivitete të tjera historike dhe artistike. Qyteti i vogël i Hampshire, Odiham, që pretendon se është vendi ku Xhoni qëndroi përpara se të shkonte për negociata në Ranimid, po bëhet gati të mbajë një Festival të Magna Carta-s, ku do të përmenden edhe fjalët e Kryepeshkopit të kishës Canterbury-t, Stephen Langton, që luajti një rol kyç në projektimin e Kartës.

Do të ketë shumë ekspozita muzesh, biblioteka, dorëshkrime mesjetare të katedraleve për Kartën e Madhe. Pjesëmarrësit do të mund të shohin katër shembuj në Librarinë Bodleian në Oksford, tre në Durham dhe tre në Londër.

Më domethënësja nga të gjitha, është se në Salisbury, Linkoln dhe në Bibliotekën Britanike, do të shfaqen katër kopje të versionit origjinal të 1215, me vulën e vetë mbretit Xhon.

Dhe në shkurt, Biblioteka Britanike do t’i bashkojë të katërta kopjet dhe do lejojë vetëm 1215 persona, të zgjedhur me short që t’i vizitojnë.

Libri i ri i David Carpenter, identifikon për herë të parë një nga dy kopjet e Bibliotekës Britanike, si ajo që u dërgua fillimisht në Katedralen Canterbury.

Ai përdor gjithashtu drafte të identifikuara së fundmi të Kartës për të gjurmuar mënyrën sesi teksti ndryshoi gjatë pesë ditëve negociata në Ranimid.

Autori pretendon se Karta e Madhe garantoi mbijetesën e Skocisë si një shtet i pavarur, duke përmbysur përpjekjet e mbretit Xhon për të shtrirë pushtetin e tij feudal në të gjithë mbretërinë.

Në vitin 1209, Xhon kishte imponuar mbi Uilliam Luanin, Mbretin e Skocezëve, një traktat në Norham, teksti i të cilit ka humbur. Carpenter beson se ai ka gjetur një dokument të shekullit të 14 në Arkivat Kombëtare në Kew që ruan kushtet e traktatit. Në të, sipas interpretimit të Carpenter, Uilliam premton se djali i tij, Aleksandër do të nderojë Xhonin jo vetëm për tokat që Uilliam kishte në Angli, por edhe për Skocinë vetë.

Karta e Madhe nga ana tjetër, thoshte se Aleksandri do të nderonte dhe nënshtrohej vetëm për tokat në Angli. Dihet se brenda disa javësh nga nënshkrimi, Magna Carta ishte një letër e ‘vdekur’.

Mbreti nuk iu bind, Karta u dënua nga Papa dhe Xhoni e gjeti veten në luftë me baronët e rebeluar. Vitin pasardhës, në 1216, një ushtri franceze ndërhyri në mbështetje të rebelëve. Lideri i saj, djali i mbretit francez, Luigji, pretendoi fronin anglez.

Atëherë Xhoni ishte shëndetlig dhe vdiq në Newark në tetor të 1216-s, pesë ditë pasi një pjesë e bagazheve të tij humbën teksa kalonte në Wash.

Ky duhej të kishte qenë fundi. Por fati e desh që Karta të ringjallej si një përpjekje e fundit e dëshpëruar nga një grup lordësh besnikë të pasardhësit të Xhonit, djalit të tij 9-vjeçar, Henri.

Ajo u ribotua, duke i hequr të drejtën e rebelimit, pasi kërkesat e të pakënaqurve u plotësuan. Dhe në maj 1217 ushtria e Luigjit, u mund në një betejë në Linkoln.

Fakte rreth mbretit Xhon

Ai lindi në 1166 ose 1167 në Oksford, djali më i vogël i Henrit II.

E mori fronin në 1188, pasi vëllai i tij, Rikardi, vdiq. Mbretërimi i Xhonit u shënua nga lufta me Francën, e nxitur prej martesës së tij të dytë.

Lufta kishte nevojë për financime dhe Xhoni filloi të ngrinte taksat dhe të zgjeronte të drejtat feudale; kjo nxiti pakënaqësi civile dhe rebelim nga baronët anglezë.

Pasi baronët pushtuan Londrën, Xhoni u detyrua të nënshkruajë Kartën e Madhe në 1215, por nuk ia doli të ndalonte luftën civile. Xhoni vdiq në Kështjellën Newark në 1216, pasi u infektua me dizenteri në lindje të Anglisë.

Karta e Madhe pas Xhonit

Henri III ribotoi Kartën e Madhe në një formë të modifikuar edhe një herë në 1217 dhe më pas në 1225, i cili ishte versioni i fundit që u bë edhe teksti përfundimtar.

U pranua formalisht edhe disa herë nga Henri dhe pasardhësi i tij Eduardi I – ndonëse shumë prej parashikimeve dolën nga koha e dispozitat e rëndësishme shpesh nuk u respektuan fare.

Por kjo nuk kishte rëndësi. Domethënia e Kartës së Madhe ishte më tepër simbolike sesa praktike. Sipas Carpenter, realizimi i saj shënon një hap ‘përpara’ dhe ‘pas’ në historinë angleze. Për herë të parë Karta e Madhe bëri të njohur për publikun, parimin se “mbreti është subjekt i ligjit”.

Karta gjithashtu çoi tërthorazi në zhvillimin e një lloji të ri të shtetit, në të cilin paratë për të qeverisur vendin, do vinin nga taksat e miratuara prej Parlamentit, duke e parandaluar mbretin nga marrja e parave sipas mënyrave të tij arbitrare.

Pesëdhjetë vjet më pas u thirr parlamenti i parë anglez.

Përtej festimeve dhe përkujtimeve të këtij përvjetori, çfarë ka rëndësi tashmë është edhe një parim tjetër i parashikuar në Kartë, një parim themelor për ligjin britanik dhe të shumë vendeve të tjera përfshirë SHBA.

Klauzola më e njohur e Kartës së Madhe ndalon që mbreti të shesë, mohojë apo vonojë drejtësinë dhe mbron çdo njeri të lirë nga burgosja arbitrare, duke kërkuar gjykim të ligjshëm nga të barabartët, ose nga ligji i tokës së tij.

Njerëz të lirë në 1215 ishin më pak se gjysma e popullatës – pjesa tjetër ishin bujkrobër për të cilët Karta nuk parashikonte këto të drejta. Dhe njerëz do të thoshte burra e gra, përveç vejushave, të cilat përmenden shumë pak në Kartën e Madhe.

Por parimi u themelua. Ligji mund të shërbente si një gardh mbrojtës kundër tiranisë. Dhe me t’u krijuar si parim, ai nuk u hoq më kurrë.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button