Opinion

Sa herë ndihen probleme në Kosovë, trazohet Shqipëria

Titulli i këtij shkrimi nuk shkon aspak dhe urojmë të mos ketë peshën e titullit të njohur të pjesës së Kadaresë “Ra ky mort dhe u pamë”, por në të vërtetë shpreh një konstatim të hidhur. Qoftë edhe kur Kosova nuk ka qenë e pavarur, çdo trazirë e Shqipërisë e justifikuar apo jo e kishte një indikacion, që asnjëherë… nuk i gjendej burimi. Nuk është fjala për Teoritë e lodhshme të Konspiracionit, që na rrethojnë në çdo moment, por realitete mirëfilli. Sot e kësaj dite në Shkodër të tregojnë realitete për 2 Prillin e përgjakshëm, sot e kësaj dite përmenden ata që flisnin sllavisht në protestat e Vlorës, të gjithë i dinë rrëmujat shqiptare para eksodit kosovar, apo ato që ndodhnin në Shqipëri para se Kosova të ridigjej dhe njëherë nga viti 2005.

Ben Andoni

Protesta e studentëve, pavarësisht atyre gjërave që po mundohen t’i veshin politikanët, mbart një të vërtetë të hidhur por që flinte. Ata janë keqpërdorur, vjedhur dhe transformuar në interes të makutëve, që rrethojnë ngado shoqërinë shqiptare dhe që nuk u intereson asgjë përveç xhepave të tyre. Kjo shpjegon faktin e lulëzimit së një klase makute në Shqipëri, ngritur nga e panjohura dhe që janë katapultuar në nivelet më të larta të pasurisë. Ata që vendosin sot për politikat ekonomike dhe zhvillimet e vendit në kurriz së të tjerëve dhe që ndikojnë dhe politikën shqiptare. Shtresat e tjera shoqërore janë në zgrip të një jetesë tejet të vështirë dhe me shumë paragjykime. Kjo e bën individin shqiptar të jetë shumë i prekshëm, i mënjanuar, i keqpërdorur, i vjedhur kurse shoqërinë tejet të cënueshme nga manipulimet. Këto të fundit janë në çdo segment të jetës shqiptare dhe lidhen me çdo zhvillim të vendit tonë. Kjo e shpjegon më së miri korrupsionin e frikshëm, ndodhitë e frikshme gjatë luftës së Kosovës, spekulimet e shumë individëve që i zbuluan dikur kabllogramet dhe shumë gjëra me radhë. Për të gjithë këto u mendua se fizionomia e re e qeverisjes Rama, gjashtë vjet më parë, do të ishte efikase me premtimet, por edhe gatishmërinë e njerëzve për ta mbështetur. Realiteti i sotëm tregon se Rama, ashtu si paraardhësi i tij, Berisha, e kanë të vështirë të drejtojnë vendin, sepse janë vetë pjesa kryesore e problemit dhe krijuesit e kaosit.

Mu në këtë hulli bëjnë qejf situatat e ndryshme, që hera-herës duken fare mirë të dirigjuara. Dhe, sa herë në Kosovë ndihet era e problemeve, i paraprin Shqipëria me kaosin e vet. Në orët në vazhdim, Kosova, pret zhvillime sa i përket Gjykatës Speciale, por edhe zhvillimeve në Veri, situata që janë përshkallëzuar që kur qeveria Haradinaj miratoi tarifat e reja në tregtinë me Serbinë. Dhe, ndërsa e gjithë Kosova po dridhet për atë që e pret lidhur me përpjekjet e huaja, që nuk janë aspak të saj për ndryshimin e kufijve, Shqipëria në vend që ta markojë është e kapluar nga trazirat. Mbase nuk kanë fare lidhje, por gjithnjë dihet qartë se trazirat dhe shqetësimet në Kosovë i paraprin kaosi shqiptar, i përtej kufirit. Qoftë edhe ky i drejti, kauzën e të cilit po e mbajnë studentët e vendit. Por, gjithsesi, shpresojmë që të mos i parashikojmë asgjë të keqe Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button