Kryeartikull

Safet Gjici, një nga të rënët e organizatës

Nga Armand Shkullaku

Dorëheqja e Safet Gjicit nga kryetar i Bashkisë së Kukësit, pas publikimit të një videoje kompromentuese, është një akt moral personal. Ai mori me vete përgjegjësinë e skandalit, duke dashur të mbyllë kështu një aferë personale, por të pashmangshme nga sfondi politik.

Gjykimi moralist për Safet Gjicin si individ, nuk ka asnjë vlerë. Ai, siç e thotë edhe vetë në tekstin e dorëheqjes, e ka kuptuar se nderi i jetës së tij u njollos.

Këtu problemi nuk është me një njeri, i cili pas kësaj do t’i vuajë personalisht dhe familjarisht, pasoja e një akti, që siç thotë dhe vetë, u krye me një mendjelehtësi të pafalshme.

Fenomeni që duhet analizuar, ka të bëjë me frymën dhe tipologjinë e të zgjedhurve nga populli, që Partia Socialiste ka instaluar në këto vite. Ky fenomen është i ndërtuar mbi filozofinë, se fuqia për të mbledhur vota është më e rëndësishme se sa integriteti dhe personaliteti i të zgjedhurit.

Ky i fundit, pasi ka fituar besimin e kreut të organizatës së Rilindjes dhe pushtetin që buron prej tij, e konsideron të kryer misionin e tij. Pushtetin e fituar falë emërimit nga shefi dhe investimit personal në fushatë, ky prototip i Rilindjes e konsideron tashmë një të drejtë të tij për ta përdorur si të dojë.

Duke lënë mënjanë skandalet e llojit Gjici në Kukës apo Shukriut në Dibër, janë me dhjetra raste ku deputetë apo kryetar bashkish të Rilindjes, janë zgjedhur përfaqësues të popullit vetëm me kriterin e garantimit të votave me çdo lloj mënyre. Blerje, kërcënime, manipulime, presione dhe çfarëdo forme tjetër jo demokratike.

Pasojë e këtij procesi, që ka shkatërruar konceptin e demokracisë përfaqësuese, është lista e gjatë e ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive që janë peshkuar në rrjetën e demkriminalizimit, apo kanë përfunduar pas hekurave për korrupsion, trafik droge e krime të tjera.

Asnjëherë në historinë 33 vjeçare të pluralizmit në Shqipëri, një parti politike nuk ka prodhuar figura të kriminalizuara në nivelet e larta të pushtetit, se sa Partia Socialiste. Ministra në burg e ministra nën hetim, deputetë e kryetarë bashkish, që duket se nuk do të mbarojnë kurrë përsa kohë kriteri i përzgjedhjes së tyre nuk është integriteti apo personaliteti publik e politik, por aftësia për të mbushur thesin e votave që mban Edi Ramën kryeministër.

Eshtë e pritshmë që pas Gjicit, skandalet nuk do të rreshtin. Ky stan këtë bulmet ka. Rilindja, edhe kur garoi e vetme në vitin 2019, nuk iu shmang modelit që ka krijuar dhe disa kryetarë bashkish u detyruan të lënë mandatet.

Pushteti i Edi Ramës është ngritur mbi një absurd që ai vetë e ka ushqyer për vite me radhë. Kandidatët e përzgjedhur prejt tij, kanë një hendek të madh formimi e kulture me mesataren e shoqërisë që i voton. E megjithatë ata ia dalin që të zgjidhen. Kryeministri mburret me ta, me dajre, batuta e tallava, duke i trajtuar votuesit si lopë që hanë çdo gjë që u vë përpara. Për të ka rëndësi pushteti dhe jo shërbimi ndaj qytetarëve.

Të zgjedhurit e Ramës, kur e shndërrojnë investimin e tyre në pushtet, pavarësisht nivelit mediokër që përfaqësojnë, fillojnë të sillen si pashallarë në çifligun për të cilin ia kanë paguar taksën sulltanit. Ata nuk njohin detyrim tjetër, veç kësaj takse.

Prandaj mendojnë që tenderat mund t’ua japin kujt të duan, farefisit apo banditëve që kanë përdorur në zgjedhje, të marrin rryshfetin që u takon nga ndarja e plaçkës publike e pse jo të shijojnë dhe pak jetën me të gjitha qejfet që ua lejon pushteti dhe paraja.

Safet Gjici është një pasojë e kësaj filozofie të Rilindjes mbi demokracinë përfaqësuese, prandaj nuk është dhe nuk do të jetë i vetëm. Nuk është çudi, që si Safeti ashtu edhe safetët e tjerë përpara tij, brenda vetes janë të bindur që nuk kanë bërë asgjë që të meritonin ndëshkimin. Ata e kanë kryer detyrimin ndaj organizatës dhe përfitimet prej pushtetit i kanë konsideruar një të drejtë legjitime.

Thjesht besojnë se janë viktima të kurtheve apo rrethanave, dhe jo të modelit me të cilin Edi Rama mban në këmbë pushtetin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button