Sakashvili: Vizita e Putinit në Serbi, emocionale, pa asnjë efekt në Ballkan
Flet ish-presidenti i Gjeorgjisë, këshilltar i Kryeministrit Rama
“Kreu i Kremlinit e përdori Beogradin për të treguar se nuk është i dëbuar nga të gjithë”
Nga Fatjona Mejdini
Këshilltari i Kryeministrit Edi Rama, ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, e shikon vizitën e Presidentit rus, Vladimir Putin, në Serbi thjesht si emocionale dhe me asnjë ndikim politik në rajonin e Ballkanit. I njohur si një nga kundërshtarët e vendosur të ndërhyrjes së Rusisë në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Ballkan, Sakashvili, në një prononcim për gazetën “Shqip” në Washington D.C., thekson se Serbia duhet të kuptojë se asgjë e mirë nuk i vjen nga Rusia. Ai shtoi se teksa Beogradi zyrtar e priti Putinin me nderime dhe emocione të së shkuarës, Presidenti rus ishte përfituesi real i kësaj vizite, duke e përdorur këtë vend me aspirata europiane, për t’i treguar pjesës tjetër të Europës se ai nuk është krejtësisht i dëbuar nga ky rajon. Ish-presidenti i Gjeorgjisë e konsideron Putinin të dëshpëruar në këto momente dhe se vizita pompoze në Serbi thjesht e ndihmon Presidentin rus të përmirësojë imazhin pas ngjarjeve në Ukrainë dhe rritjes së tensionit kundër tij në Europë. “Nuk mendoj se Rusia ka ndonjë leverdi konkrete për të asistuar Serbinë. Mendoj se marrëdhënia mes këtyre dy vendeve është thjesht emocionale dhe e mbetur në kuadrin e dëshirës. Serbët duhet ta kuptojnë se asgjë të mirë nuk mund të marrin nga Rusia. Ndërsa Putini në aspektin politik mund të marrë shumë nga Serbia në këto momente. Me këtë vizitë ai donte të tregonte se nuk është i dëbuar nga të gjithë dhe ka ende vende ku ai mund të jetë i simpatizuar”, shprehet Sakashvili për vizitën, duke shtuar se një pjesë e madhe e shoqërisë serbe nuk e mirëpriti këtë vizitë. Sipas tij, Rusia nuk ka forcën dhe as interesin t’i japi asnjë ndihmë ekonomike Serbisë, ndaj vizita nuk mund të ketë asnjë tjetër efekt përveç atij emocional. Vizita e Putinit në Serbi ishte ndër të vetmet e Presidentit rus në një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Ajo u zhvillua me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit nga nazistët me ndihmën e Ushtrisë së Kuqe. Me këtë rast, për nder të tij Serbia zhvilloi paradën ushtarake më të madhe në 30 vitet e fundit me mbi 3 mijë ushtarë dhe vizita e tij mori një karakter masiv festiv në Beograd, ku nuk mungoi as tapeti i kuq. Përgjatë saj, Putin nuk harroi të theksonte se ai do ta mbështeste Serbinë edhe për sa i përket çështjes së statusit të Kosovës. Kjo vizitë e Putinit erdhi përpara asaj që Presidenti rus zhvilloi në samitin e liderëve të Europës dhe Azisë në Milano të Italisë me përfaqësuesit e qeverisë ukrainase për sa i përket çështjes së gazit mes dy vendeve. Po kështu, në Itali, Putini zhvilloi bisedime me drejtues të vendeve europiane dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.