Salianji: Shqipërisë i duhet zgjidhje politike, jo represion dhe përshkallëzim të konfliktit
Në ditën e 184-t të protestës dhe pas përplasjeve të sotme, ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe dënon dhunën policore ndaj qytetarëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të medias.
Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji ka reaguar pas përplasjeve të ditës së 184-t të protestës së qytetarëve kundër qeverisë. Në postimin e tij, të përcjellë nga BalkanWeb, Salianji shkruan se Shqipëria nuk mund të tërhiqet më zvarrë dhe se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, për t’i dhënë vendit mundësinë të rikthejë qetësinë, normalitetin dhe besimin te institucionet.
“Pamjet ku pushteti mbrohet me dhunë policore, armë, gaz dhe autobotë janë të papranueshme në një vend që aspiron të jetë pjesë e Europës”, shkruan Salianji.
Sipas tij, dhuna ndaj qytetarëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të medias është një tregues alarmant i mënyrës se si ushtrohet pushteti, me forcë, për të mbrojtur pushtetin dhe interesat pasurore të një klike të ngushtë.
“Shqipëria ka nevojë për zgjidhje, jo për përshkallëzim të konfliktit. Ka nevojë për përgjegjësi politike, jo për represion. Qytetarët po bëjnë gjithçka për një Shqipëri europiane”, thekson ish-deputeti.
“Shqipëria nuk mund të mbahet peng për interesat e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish!”, përfundon Salianji.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.