Samiti i NATO-s, pritje me ankth e Donald Trumpit
Kanadaja dhe partnerët europianë e presin me frikë Trumpin në kryeqytetin belg, ku është e qartë se presidenti amerikan nuk do të druhet të hapë gojën për faturat e mbrojtjes.
Edhe pse europianët kanë nisur të shpenzojnë më shumë për ushtrinë, e kjo është e dukshme tashmë, shefi i Shtëpisë së Bardhë sërish nuk është i kënaqur.
Zemërata e tij i drejtohet më së shumti Angela Merkelit.
“Gjermania, – argumenton Trumpi, – është vendi kryesor në BE dhe nuk i përmbush detyrimet e saj, duke u kthyer në një shembull të keq edhe për të tjerët”. “Gjermanët, – thotë Trumpi, – bëjnë pazare në fushën e energjisë me rusët dhe ne amerikanët jemi budallenjtë që paguajmë çdo gjë”.
Pjesë e përpjekjeve të tij për të ndryshuar situatën ishte edhe paralajmërimi për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Gjermania.
Sipas Riegert, të ardhmen e marrëdhënieve brenda NATO-s e ka skicuar Ministria e Mbrojtjes në Poloni. Polakët kanë ofruar dy miliardë në vit për stacionimin e trupave amerikane. Ky model mund t’i pëlqejë Trumpit. Gjithë çfarë u ka mbetur anëtarëve të tjerë të aleancës është që të shpresojnë se presidenti i fuqisë më të rëndësishme ushtarake do ta njohë detyrimin për ndihmë brenda këtij organizmi.