Samiti kibernetik: Obama gati i vetmuar
Sulmet kibernetike të kohëve të fundit e nxitën presidentin amerikan Barack Obama të thërrasë me urgjencë një samit kibernetik (13.02) në Stanford. Por bashkëpunimi mes qeverisë e ekonomisë private ka shumë pikëpyetje.
Dyshime të mëdha – nën këtë atmosferë u hap samiti kibernetik i nxitur nga presidenti Barack Obama. “Që nga publikimet e Edward Snowden shumë nga aktorët kryesorë në Silicon Valley nuk i besojnë më edhe aq qeverisë amerikane”, thotë eksperti i internetit, Herb Lin për Deutsche Wellen. Kjo u duk qartë në pjesëmarrjen e samitit: Asnjëri nga krerët e Google, Yahoo, Microsoft dhe Facebook nuk u duk në Stanford. I vetmi ishte Tim Cook nga Apple. Sipas Lin “ky është dështim dhe ka shumë vështirësi derisa gjendja të ndryshojë”.
Marrëdhënia me Silicon Valley e helmuar
Edhe New York Times raporton në ditën e samitit për një “marrëdhënie të helmuar” mes Silicon Valley dhe qeverisë në Uashington. Lajme jo të mira për presidentin Obama, i cili donte t’i bashkonte krerët kresorë të koncerneve në Stanfordin kalifornian. Në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, Obama e kishte deklaruar si prioritet kombëtar sigurinë kibernetike dhe kishte kërkuar bashkëpunimin mes qeverisë dhe sektorit privat. Vetëm së bashku, pra shteti dhe ekonomia private mund të mbrohen nga sulmet kibernetike që janë shtuar masivisht.
Shkëmbimi i informacionit duhet përmirësuar
Ken Gude, ekspert i kibernetikës në “Qendrën për Progresin Amerikan shikon në këtë bashkëpunim një premisë të pazëvendësueshme. “Për të krijuar më shumë siguri duhet të përmirësojmë sistemin e bashkëpunimit mes firmave private dhe qeverisë.” Edward Lovery, punonjës i Shërbimit Sekret Amerikan pranon se shkëmbimi i nevojshëm i informacionit i autoriteteve shtetërore deri tek ekonomia private nuk funksionon si duhet. Shërbimi sekret që është i përqëndruar tek sulmet kibernetike do ta përshëndeste standartizimin e shkëmbimit të informacionit dhe publikimin e sulmeve të hakerave. Në këtë pikë duhet të kooperojë edhe NSA-ja e plotfuqishme. “Por pikërisht për NSA ka pasur dyshime se ajo madje i zotëronte informacionet për pikat e dobta të sistemit”, thotë Ken Gude.
Obama ndodhet nën presion: Muajt e fundit kanë qenë të tejmbushura me lajme për vjedhje masive të të dhënave të konsumatorëve. Të prekura kanë qenë firma të mëdha si Target apo JPMorgan Chase. Edhe sulmi koreanoverior kundër Sony u kthye në një temë politike. “Si konsumatorë, individë apo qytetarë njerëzit ndjehen vetëm, po qe se përpiqen të mbrohen në një situatë të tillë”, thotë Ken Gude. Ky samit mund të jetë fillimi i një dialogu kombëtar thotë ai, dhe mund të sjellë më shumë fushata sensibilizimi.
Industria pranon vetëm ligjet
Megjithëse presidenti Obama me dekret ka ngritur edhe një agjenci kibernetike për të përmirësuar informacionin mbi sulmet e hakerave, ekspertët amerikanë nuk shohin shumë shanse për zbatimin e shpejtë të planeve të tij. Edhe ndaj apelit publik të Obamës në Stenford eksperti Herb Lin mbetet dyshues. Epoka e bashkëpunimit jozyrtar mes industrisë e qeverisë që nga zbulimet e Snowdenit ka marrë fund për një kohë të caktuar. “Industria bën tani vetëm atë që ia kërkon ligji. Pra ata bëjnë vetëm minimumin, sepse janë të detyruar nga ligji. Por asgjë më shumë”, thotë Lin. Madje efekti negativ i aktiviteteve të NSA-së prek interesat ekonomikë të koncerneve të teknologjisë, thotë Lin. “Shumë firma të huaja thonë se nuk u besojnë më amerikanëve, pasi janë të kompromentuar”.
Grindje për kodifikimin
Për të rifituar besueshmërinë Google, Yahoo dhe Apple kanë investuar shumë në kodifikimin e të dhënave të klientëve. Prandaj kërkesat e Uashingtonit për të mos e ekzagjeruar me kodifikimin nuk shihen me sy të mirë. Madje fjalimi i Tim Cook në samitin kibernetik mund të kuptohej si një apologji që ngrihet kundër oreksit të ekzagjeruar të shtetit. Cook u shpreh se sistemi i pagesës përmes Apple është madje më i sigurtë se një kartë krediti. Për secilën procedurë pagese, gjenerohen të dhëna mes klientit dhe shitësit, të cilat i njohin vetëm këta persona. “Apple nuk i njeh këto të dhëna dhe as nuk do t’i njohë”, tha Cook në samitin e Stanfordit mesa duartrokitjeve. Apple me sa duket planifikon të zhvillojë koncepte të tilla digjitale edhe për patentën apo letërnjoftimin.
Eksperti Edward Lovery nga “Secret Service” kërkon të përqëndrohet tek sulmet aktuale kibernetike. “Ne e përkrahim përpjekjen e firmave që përmes kodifikimit mbrojnë të dhënat e klientëve, sepse është një teknikë mbrojtjeje dhe kjo është pozitive.” Por nëse gjykatat apo Secret Service apo shërbime të tjera inteligjence amerikane kërkojnë të kenë akses tek këto të dhëna, “atëherë ky sistem duhet të jetë i tillë që të na lejojë akesin”, thotë Lovery.
Presidenti Obama ka bërë të qartë në Stanford se sulmet kibernetike i sjellin humbje në miliarda ekonomisë amerikane. Por ai as nuk shkoi deri tek pohimi se sa i rrezikshëm do të ishte një sulm kibernetik për sigurinë kombëtare. Ken Gude nga “Qendra për Progresin Amerikan” thotë “se do të bëhet gjithnjë e më e rrezikshme”. Por do të kalojë një kohë shumë shumë e gjatë, derisa një luftë kibernetike të jetë më e rrezikshme se një luftë konvencionale.”