Samsung dhe SK Hynix po “përmirësojnë” fabrikat e tyre në Kinë – për të prodhuar çipa më të avancuar
Samsung Electronics dhe SK Hynix po “përmirësojnë” fabrikat e tyre në Kinë për të prodhuar çipa memorieje më të avancuar, sipas katër personave të njohur me këto plane.
Qëllimi është përballimi i konkurrencës nga një rival kinez me rritje të shpejtë, si dhe përmbushja e kërkesës së madhe në fushën e Inteligjencës Artificiale (AI).
Përcaktimi i nivelit të investimeve në operacionet e tyre në Kinë është bërë një çështje komplekse për gjigantët koreano-jugorë të gjysmëpërçuesve, veçanërisht që kur SHBA-ja filloi të vendoste kontrolle mbi eksportin e pajisjeve për prodhimin e çipave në vitin 2022, si pjesë e përpjekjeve për të ngadalësuar përparimin teknologjik të Kinës.
Të dyja kompanitë tani duhet të kërkojnë çdo vit licenca nga SHBA-ja nëse dëshirojnë të instalojnë në Kinë pajisje të prodhuara në SHBA.
Byroja e Industrisë dhe Sigurisë pranë Departamentit të Tregtisë të SHBA-së deklaroi gjithashtu se, për vitin 2025, nuk ka ndërmend të japë licenca për përmirësimin e teknologjisë apo zgjerimin e kapaciteteve në fabrikat që këta prodhues të huaj zotërojnë në Kinë.
Këto vështirësi rregullatore kanë kufizuar mundësinë e tyre për të modernizuar fabrikat, duke çuar në humbje të pjesës së tregut përballë kompanisë kineze Yangtze Memory Technologies Co (YMTC).
Drejtues të kompanive koreano-jugore kanë paralajmëruar publikisht se tensionet gjeopolitike po dëmtojnë operacionet e tyre në Kinë.
Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Samsung konfirmoi se procesi i përmirësimeve ka nisur dhe po kryhet në konsultim të ngushtë me Uashingtonin.
SK Hynix njoftoi se ka instaluar pajisje në fabrikën e saj në Dalian, në Kinën verilindore, gjithashtu në konsultim me qeverinë amerikane.
Asnjëra nga kompanitë nuk dha detaje mbi planet e prodhimit, të cilat raportohen këtu për herë të parë.
Megjithatë, Reuters nuk mundi të përcaktonte se në çfarë mase autoritetet amerikane kanë dhënë licenca eksporti për pajisjet që Samsung dhe SK Hynix u duhen për përmirësimet e planifikuara.
Sipas burimeve, të dyja kompanitë po punojnë për të prodhuar çipa memorieje “flash NAND” me më shumë se 200 shtresa në fabrikat e tyre në Kinë; produktet aktuale të këtyre fabrikave nuk janë aq të avancuara sa çipat që prodhohen në Korenë e Jugut.
NAND, një lloj çipi memorieje që ruan të dhënat edhe pa furnizim me energji elektrike, përdoret gjerësisht në telefonat inteligjentë, kompjuterët personalë dhe disqet me gjendje të ngurtë (SSD) për qendrat e të dhënave të Inteligjencës Artificiale.
Më shumë shtresa për çip nënkuptojnë densitet më të lartë të ruajtjes dhe kosto më të ulëta. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.