Samsung zyrtarisht e prezanton Galaxy A7
Lideri botëror i telefonave të mençur mobil, Samsung tani edhe zyrtarisht e ka prezantuar modelin e saj më të ri të telefonit, Galaxy A7, i cili dallon nga paraardhësit e tij për shkak të trupit prej metali, ndërsa ia kalon edhe rivalit iPhone 6 për nga hollësia, sepse i njëjti vjen me vetëm 6.3mm hollësi.
Lansimi i Galaxy A7 vjen pas prezantimit zyrtar të Galaxy A5 dhe A3 në muajin tetor, cilët ishin modelet e para të kompanisë jugkoreane që ofronin trupin e plotë prej metali.
Përveç dizajnit të hollë me vetëm 6.3mm, Samsung Galaxy A7 ofron edhe 2GB RAM dhe procesorin në octa-core.
Modeli i telefonit me LTE do ta përdor procesorin e Samsung 32-bit Exynos 5430, ndërsa varianti dual-SIM/LTE do të ofrojë procesorin 64-bit Qualcomm Snapdragon 615. Përkundër kohës së lansimit, telefoni nuk vjen në Android 5.0, sepse në vend të tij ofron Android 4.4 Kitkat.
Galaxy A7 gjithashtu ofron ekranin me 5.5inç 720×1280 Super AMOLED, kamerën e pasme me 13MP, kamerën e përparme me 5MP, 16GB memorie të brendshme dhe baterinë me 2,600mAh.
Ende nuk dihet data e saktë e debutimit të Galaxy A7 në treg, ndërsa çmimi i telefonit pritet të jetë i lirë.