Sanksionet ruse për fruta-perimet -Panariti: Falsifikime jashtë vendit
Ministria e Bujqësisë i ka cilësuar të padrejta sanksionet e vendosura nga Rusia për ndalimin e importit të fruta-perimeve shqiptare.
Në një konferencë pë shtyp, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha të enjten se “kjo situatë është krijuar si pasojë e falsifikimeve nga një vend i tretë”.
Ministri Panariti theksoi se ishte pala shqiptare që e evidentoi këtë problem dhe që komunikoi me ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë.
“Kemi qënë ne që në bashkëpunim me autoritetet ruse kemi evidentuar këtë problem. Ishte një falsifikim që ndodhte jashtë territorit të Shipërisë. Në evidentuam që në tregun rus futej 4 herë më shumë se sa prodhojmë ne. Kjo sasi e shtuar e ka origjinën gjetkë, është rezultat i një falsifikimi nga një vend i tretë. I vendosnin etiketën shqiptare dhe e fusnin në tregun rus. Edhe prodhuesit shqiptarë janë dëmtuar nga kjo skemë falsifikimi”, deklaroi ministri Panariti.
Shqiperia eksporton prodhime bujqësore në 18 shtete dhe shkëmbimet tregtare me këto vende vazhdojnë normalisht.
Ndërkohë, Agjencia Federale Ruse për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Fitosanitare njoftoi të merkuren se ka vendosur të ndalojë importin e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, duke filluar nga data 8 dhjetor. “Shqipëria është përdorur si një ‘mbulesë’ për importet nga vendet e Bashkimit Europian nëpërmjet Bjellorusisë dhe një tranziti të rremë në Kazakistan”, deklaroi Dankvert. Sipas tij, vendimi u mor në bazë të rezultateve të një pune të përbashkët me palën shqiptare. Hetimi i përbashkët ka nxjerrë në pah se një firmë krijonte çertifikata fitosanitare shqiptare në një shtypshkronjë në Republikën Çeke.
Deri në fund të 2013-s, marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Rusinë ishin në nivel modest. Eksportet zunë vetëm 0.1% të totalit, ndërsa importet nga Rusia, në fund të vitit 2013, zunë 2% të totalit. Marrëdhëniet tregtare me Rusinë kanë qenë me deficit për ekonominë tonë, të paktën deri në fund të vitit 2013. Por, duket se embargoja e këtij viti, si dënim për trazirat dhe aneksimin e territoreve në Ukrainë nga ana e Rusisë, është duke e sjellë tregtinë e Shqipërisë në binarë të tjerë. Rritja e eksporteve me ritmet e shtatorit, mund të sjellë më shumë të ardhura, por, nga ana tjetër, kjo mund të kthehet në kosto politike për vendin tonë ndaj partnerit kryesor tregtar, Bashkimit Europian.
Eksportet e frutave dhe arrave nga Shqipëria drejt Rusisë u katërfishuan në shtatorin e këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga 163 milionë që ishte eksporti i këtyre artikujve në shtatorin e vitit 2013, këtë vit, kjo vlerë u rrit në mbi 673 milionë lekë, ose 481 mijë euro. Kjo nuk justifikohet me rritjen e prodhimit apo me zbulimin e tregut shqiptar nga Rusia.
Pritet që ministria shqiptare e Bujqësisë të dalë ditën e sotme me një shpjegim lidhur me faktin se si kanë përfunduar në Rusi këto mallra bujqësore. Shpjegimi më i mundshëm është se ato nuk kanë hyrë dhe as kanë dalë nga Shqipëria, mund të jenë prodhime greke etj, të cilat nuk mund të eksportohen dhe për këtë është përdorur certifikata false e origjinës shqiptare.