SDA kërkon ndryshimin e emrit të Republikës Srpska, serbët acarohen
Pas iniciativës së partisë boshnjake SDA për ndryshimin e emrit Republika Srpska, në Bosnjë-Hercegovinë ka nisur një debat e ashpër. Autoritetet ndërkombëtare po përpiqen ta zbusin situatën.
Liderët e partive parlamentare me seli në Republikën Srpska kanë nënshkruar një deklaratë me të cilën dënojnë ashpër inciativën e Partisë për Aksion Demokratik (SDA), që emri i Republikës Srpska të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës.
“Kjo me siguri do të ndodhë”, thotë lideri i partisë SDA Bakir Izetbegoviq, “në qoftë e partia SNSD nuk e ndryshon në mënyrë radikale politikën e saj”. Vetëm disa orë më vonë, partitë serbe në Republikën Srpska kumtuan se Parlamenti i tyre do të mblidhet menjëherë dhe do të vendosë për statusin e RS, në qoftë se SDA kërkon ndryshimin e emrit të RS në Gjykatën Kushtetuese.
Statusi i RS zgjidhet në parlament
„Nuk mund të ketë kurrfarë afatesh për RS, këtë e hedhim poshtë. Të gjithë do të punojmë dhe ta mbrojmë në mënyrën më të denjë emrin dhe statusin e saj. Nuk duam të preket karta jonë e identitetit, emri, mbiemri… Nëse Gjykata Kushtetuese e BH e pranon këtë iniciativë të SDA, do ta konsiderojmë si shkelje flagrante të Marëveshjes së Dejtonit dhe do të kërkojmë nga Parlamenti ynë që të marrë një vendim për statusin e ardhshëm të RS”, deklaroi Milorad Dodik (SNSD), anëtari serb në Presidencën e BH, pas takimit me krerët e partive serbe në Banjalukë.
Liderët serbë kanë shprehur mosbesim të plotë ndaj Gjykatës Kushtetuese në Sarajevë. Njëkohësisht një pjesë e tyre e ka falënderur Izetbegoviqin për këtë inciativë, sepse në këtë mënyrë “ka bashkuar partitë serbe në RS”. Izetbegoviqi ka shprehur pakënqësi për mosbarazinë e popujve në RS, sepse boshnjakët dhe kroatët trajtohen atje si “qytetarë të rendit të pestë”. Ai thotë se emri Republika Srpska nuk do të thotë asgjë.
Afati prej gjashtë muajsh
„Do të kërkojmë që boshnjakët dhe kroatët të përmenden në titullin e RS. Ata kanë gjashtë muaj kohë për ta ndryshuar këtë. Nëse nuk e ndryshojmë ne do ta ndryshojmë politikën tonë. Po na kërcënojmë me shkëputje të RS. Pse kanë frikë, le të na lejojnë t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, e cila do ta thotë mendimin e vet – a kemi të drejtë apo jo”, tha Izetbegoviq, i cili pret që në gjashtë muajt e ardhshëm të bëhen ndryshime, që boshnjakët dhe kroatët të përmenden në emrin e Republikës Srpska dhe që gjuhët e tyre të pranohen si zyrtare.
Dodikun e ka mbështetur Dragan Çoviqi, kryetar i partisë HDZ, e cila mbledh kroatët e Bosnje-Hercegovinës. Sipas tij, Republika Srpska është definuar në vitin 1995, në Marrëveshjen e Dejtonit. Ndërsa hapja e debatit ka për qëllim destabilizimin e vendet dhe raporteve mes popujve në BH.
Milorad Dodik
OHR dhe BE kërkojnë maturi
Ambasada e Rusisë në BH ka kërkuar që në Sarajevë të mbahet sot (25.1.) një seancë e autoriteteve ndërkombëtare për vlerësimin e iniciativës së SDA, për të ndryshuar emrin zyrtar të Republikës Srpska. Ambasada shprehet e shqetësuar me propozimin e SDA, me shpjegimin se kjo mund të cënojë stabilitetin dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme për paqen në këtë vend.
Ndërsa në zyrën e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar thotë se kjo iniciativë e SDA është e papërgjegjshme dhe kontraproduktive. “Paralajmërimet për kontestimin e emrit të Republikës Serpska para Gjykatës Kushtetuese është i papërgjegjshëm dhe kontraproduktiv. Ajo mund të rrënojë edhe më shumë raportet mes popujve konstitutivë në BH”, thuhet nga zyra e OHR, me shpjegimin se në Kushtetutën e BH thuhet se ky vend përbëhet nga dy entitete – Republika Srpska dhe Federata e Bosnjë-Hercegovinës.
Iniciativa nuk është e re
Edhe më parë ka pasur iniciativa të ngjashme për ndryshimin e emrit të RS. Ish-kryetari i SDA, Sulejman Tihiq ka kërkuar në vitin 2009 që emri të ndryshohet. Por ka hequr dorë nga iniciativa për dërgimin e çështjes së Gjykatën Kushtetuese. Në këtë Gjykatë, disa vite më parë, janë shpallur të papërshtatshme simbolet e RS – stema dhe hymni. Por shumica e ekspertëve mendon se Gjykata nuk do të pranonte të shqyrtojë idenë për ndryshimin e emrit të RS.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Sarajevë ka kërkuar nga palët që të përmbahen nga iniciativat që mund të cënojnë raportet mes popujve në këtë vend.
„Ultimatumet nuk do ta lehtësojnë formimin e organeve të reja të pushtetit dhe funksionimin më të mirë të vendit, në një moment shumë të rëndësishëm për rrugën e BH drejt BE-së. Apelojmë tek palët të jenë konstruktive dhe të vazhdojnë me reforma”, thuhet në kumtesë.