Ekonomia

Së shpejti linja e re e tragetit Durrës-Rijeka

Transporti detar dhe ai ajror ishin në qendër të diskutimeve mes ministrit të Transporteve Sokol Dervishaj dhe ambasadores së Kroacisë, Sonja Bujas Juraga. Zyra e shtypit të ministrisë së Transporteve tha se “Ambasadorja Juraga, u shpreh se shumë shpejt Shqipërinë do e vizitojnë përfaqësues të Portit të Rijekës, për të diskutuar nga afër me palën shqiptare për fillimin e një linje direkte trageti, Durrës-Rijeka.”

Ministri Dervishaj, deklaroi se një nga synimet e tij, është zhvillimi i transportit detar, që ka  potencial shumë të madh, por ende të pashfrytëzuar.

Po ashtu ambasadorja Juraga tha se ka interes në rritje nga pala kroate për vendosjen e një linje direkte fluturimi Zagreb-Tiranë.

Zoti Dervishaj tha se Ministria e Transportit, është e angazhuar maksimalisht, për të krijuar lehtësirat e nevojshme për të bërë të mundur vendosjen e një linje direkte trageti dhe ajrore mes dy vendeve.

Ministri Dervishaj dhe Ambasadorja Juraga, theksuan se marrëdhëniet politike mes dy shteteve janë të shkëlqyera, por duhet bërë më shumë në forcimin e raporteve ekonomike dhe në transport.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button