Seks, drogë dhe tatuazhe, shtohen rastet me HIV/AIDS në burgje
Personat e burgosur janë në risk të lartë për t’u infektuar nga HIV/AIDS. Në një studim të bërë për herë të parë në burgje u identifikuan raste të reja me HIV/AIDS, ndërkohë që të burgosurit pranojnë se kryejnë marrëdhënie homoseksuale të pambrojtura.
“Prevalenca e përgjithshme e HIV/AIDS në sistemin e burgjeve është nën 1 përqind. Janë tërësisht raste të reja. Sistemi i burgjeve është një minë me sahat për sa i përket shpërthimeve epidemike sidomos të HIV/AIDS. U konstatua se të burgosurit përfshihen shpesh në marrëdhënie heteroseksuale apo edhe në marrëdhënie homoseksuale”, u shpreh Arjan Boçi, Stop AIDS.
Studimi është bërë në shtatë burgje të vendit dhe në shifra më të larta kanë rezultuar të prekurit me hepatit B dhe C të cilët nuk e dinin më parë.
“Ne pamë nivele të larta të hepatitit B dhe të hepatit C në nivele 9 përqind të hepatiti B dhe 11 përqind për hepatitin C, ndërsa 2 përqind me sifiliz. Por, u pa se të burgosurit përfshiheshin në sjellje të shumta me rrezik, të cilat i vënë ata në rrezik për marrjen e këtyre infeksioneve. Dua të përmend marrëdhënie seksuale të pambrojtura, ku më shumë se 2 të tretat e të burgosurve që kryenin marrëdhënie seksuale në burg nuk përdornin prezervativin”, tha Boçi.
Të burgosurit përdorin droga me injektim çka përbën një tjetër mënyrë të rrezikshme të transmetimit të këtyre sëmundjeve infektive.
“Shkëmbime të shumta praktikash të injektimit. 13 përqind e tyre treguan se përdornin drogë në burgje. Shqetësues është edhe fenomeni i tatuazheve”, shtoi Boçi.
Shqetësues janë dhe tatuazhet që të burgosurit bëjnë gjatë kohës se vuajtjes së dënimit nga jo profesionistë dhe me mjetet jo të duhura duke shtuar një tjetër rrugë të transmetimit pasi 2/3 e të burgosurve të përfshirë në studim kanë pranuar se kanë bërë të paketën një tatuazh në burg.