Sezoni i ri Pranverë, të gjithë jashtë!
Këshillat për t’u vënë në lëvizje në mënyrë të ëmbël
Ditët bëhen më të gjata, më të ngrohta, veshjet pranverore dalëngadalë fillojnë të zënë vendin kryesor nëpër dollapë. Nuk ka më justifikime, është koha për të braktisur jetën sedentare të dimrit dhe për të zbuluar kënaqësinë e të lëvizurit në ajër të pastër. Praktikimi i sportit për ndonjë orë në javë, jo vetëm që do t’ju ndihmojë të jeni në formë, por do të ketë pasoja pozitive edhe në humorin tuaj, sepse me lëvizjet, trupi prodhon endorfinën, të ashtuquajturat “hormonet e mirëqenies”. Ata që merren me sport ndihen më mirë, pasi shkarkojnë tensionet, që bëhen shkak i pagjumësisë.
Një fillim gradual
Të “armatosur” me qëllime të mira, shpesh e lëshojmë veten duke i vënë në provë të vështirë muskujt tanë. Nëse filloni të lëvizni pas një periudhe të gjatë, mos e merrni me nxitim. Para së gjithash, shfrytëzoni rastet që do t’ju krijohen në fundjavë. Një shëtitje në mal ose një pedalim në park janë mënyra të mira për t’u kthyer në vete. Këto lloj sportesh mund t’ju ndihmojnë që të “thyeni” rutinën e përditshme. Mundohuni që t’i alternoni ushtrimet me ditët e pushimit: janë thelbësore për t’u dhënë muskujve kohën për të kaluar lodhjen.
Vrapi
Vrapi është një sport gjithnjë e më shumë i përhapur dhe i dashur. Është sporti i duhur për të forcuar fizikun dhe për të humbur peshë, mund ta praktikoni ku dhe kur të keni nevojë, pa nevojën e pajisjeve të shtrenjta, mjafton që të vishni një palë atlete komode për këtë rast. Nëse jeni fillestar në të bërit vrap, alternoni ndonjë minutë ecje me ndonjë minutë vrap, në mënyrë që t’i lini trupit tuaj kohë që të mësohet me sforcot. Pas pak javësh, do të jeni në gjendje që të reduktoni dhe më pas të eliminoni ecjen. Në fillim mos vraponi menjëherë në asfalt, është shumë e rëndë, pasi muskujt tuaj do të sforcohen shumë, – vraponi në park, në një livadh, në një rrugë të pashtruar ose në një fushë. Por, nëse vrapi nuk bën për ju, atëherë edhe ecja është një aleate e duhur, mjafton të mbani një ritëm të mirë dhe ta praktikoni të paktën për gjysmë ore rresht pa ndërprerje.
Çiklizmi
Çiklizmi është një sport për të gjithë, si për ata që janë pak të moshuar, edhe për ata mbipeshë. Më shumë se gjysma e peshës së trupit, në fakt “shkarkohet” në ije dhe vithe, pa stresuar gjunjët dhe kaviljet. Pedalimi ndihmon për të mbajtur nën kontroll presionin e gjakut dhe veçanërisht atë të ulëtin. Për të pedaluar në mënyrën e duhur, sigurohuni që sedilja e biçikletës të jetë e pozicionuar mirë dhe e palëvizshme, si dhe të jetë në lartësinë e duhur.
Sporti? Një kënaqësi!
Nëse stërvitja për ju është si një detyrim, vështirë se do të ushtroheni më shumë se dy javë. Për t’u motivuar, kujtohuni se po bëni diçka të mirë për veten dhe shëndetin tuaj. Këshillohet që gjatë kohës që merreni me sport ta kombinoni me një dietë të lehtë me ushqime integrale, fruta dhe perime, të pasura me fibra, veçanërisht të dobishme nëse vuani nga tretja e ushqimit. Mes fibrave më të dobishme për ata që merren me sport dhe që ndjekin një regjim hiperkalorik është psillio, që gjendet në shtojcën Metamucil: në stomak, kjo substancë formon një xhel që mbledh disa lloje sheqernash dhe i lëshon në trup shumë lehtë, duke shmangur dëmtimet e ndryshme glicemike. Për të ndarë lumturitë dhe dhimbjet, gjeni një mik me të cilin do të stërviteni. Do të argëtoheni shumë dhe nuk do të gjeni më justifikime për të ndenjur në divan.