Opinion
Sharlatani Mediu gënjen paskrupull në mes të Evropës

Deputeti Fatmir Mediu mori fjalën në Asamblenë Parlamentare të OSCE-së duke demaskuar gjoja me prova farsën elektorale të 11 majit. Fund e krye në fjalën e tij ai shpifi dhe gënjeu pa pikë turpi politikanët evropianë për masakrën zgjedhore që ndodhi në Shqipëri.
Sipas tij ” Të gjithë drejtuesit e opozitës duan t’i fusin në burg.” Cilët janë këta gjithë drejtues që presin të arrestohen? Procesi kundër Ilir Metës ka nisur shumë kohë para zgjedhjeve. Po ashtu hetimi i dosjes së klubit ”Partizani” ku Berisha akuzohet për korrupsion pasiv ka mbi tre vjet që ka qenë në hetim. Disa muaj para zgjedhjeve ajo dosje kaloi për gjykim. Tjetër udhëheqës nga opozita nuk është as në hetim dhe as në proces gjyqësor. Edhe ju, që e llogarisni veten udhëheqës i opozitës, jeni në proces gjyqësor për Gërdecin ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm. Ai proces ka vite që po zvarritet. Përkundrazi Drejtësia ka hetuar dhe dënuar vetëm drejtues nga Partia Socialiste. Po përmend ish Ministrat Saimir Tahiri dhe Lefter Koka, me dhjetëra kryetarë bashkish. Ka në proces gjyqësor ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Lëshoi urdhër arresti për ish zëvendës kryeministrin e socialistëve Arben Ahmetaj. Ka arrestuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj , si dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë të socialistëve. Pra, kosa e drejtësisë së re ka anuar shumë më tepër majtas se djathtas. Këtë realitet ju nuk guxuat t’ua thoshit evropianëve. Pse gënjyet, zoti deputet i zgjedhur nga Berisha dhe jo direkt nga populli kur thatë se ”Drejtësia po përdoret kundër opozitës.” Pse?…Doemos se doktori ju çoi enkas me mision që ta nxini Shqipërinë. Dhe ju vepruat si një qen besnik i tij. Lehët me aq sa fuqi kishit, duke shpifur se ”shteti bashkëpunon me krimin e organizuar, përfshirë dhe pastrimin e parave. Administrata civile është shkrirë me partinë socialiste dhe po funksionon si makinë elektorale për partinë në pushtet.” Nuk guxuat të pohonit se socialistëve populli u dha 300000 vota më shumë nga ç’i dha opozitës së përçarë që kryesohet nga një NON GRATA NË SHBA DHE BRITANINË E MADHE. Nuk pate ndershmërinë të deklaroje se si ish Ministër i Mbrojtjes pranove detyrën që të ngarkoi Berisha për t’u ngritur një punishte primitive në Gërdec për demontimin e armëve, kur mbledhja e Këshillit të Ministrave, atë propozim ose projekt e kishte hedhur poshtë?!
Paraqite si provë të manipulimit të zgjedhjeve dhe lidhjen e tyre me krimin faktin se një vajze të re të burgosurit i dhanë 92 vota. Harron se edhe të burgosurit kanë të drejtë të votojnë e të përzgjedhin kë të duan. Kjo nuk do të thotë se kandidati për deputet që ata vlerësuan, na qenka i lidhur me krimin. Nuk u mjaftove me kaq. Të gjitha këto parashtrime i bëtë që të vinit te kreshendoja:” NUK I PËRMBUSHIM AS STANDARDET MINIMALE TË NATO-s, AS ATO TË BE-së.” Opa, gjarpri e nxori kokën! Nuk e do Shqipërinë në NATO që të jetë e pambrojtur. Nuk e do Shqipërinë në Bashkimin Evropian sepse këtë synim patriotik i kanë vënë vetes për detyrë socialistët. Rama me qeverinë që kryeson dhe socialistët që ai i drejton me dorë të fortë, doemos kanë jo pak të meta ose gabime. Ama sa për përpjekjet e tyre për përshpejtimin e procesit për t’u bashkuar me Evropën në vitin 2030, ata duhen respektuar dhe përgëzuar. Duhet të jemi të ndershëm të pranojmë pozitiven edhe tek njerëzit me të cilët kemi bindje dhe pikëpamje të ndryshme politike. Po ju si shërbëtor i doktorit NON GRATA, që shqip do të thotë i padëshiruar ( për vjedhje ose krime) vollët vrer aq sa mundët nga që e dini mirë se një ditë procesi i bërë tërkuzë i Gërdecit ka për të përfunduar. Juve, me të drejtën e të Madhit Zot, do t’ju presë qelia e burgut. Nga ajo nuk mund t’ju shpëtojë Asambleja Parlamentare e OSCE-së dhe as edhe ndonjë lloj tjetër institucioni Evropian. E njëjta gjë vlen edhe për doktorin tuaj që ,në mos procesi i dosjes së Pallatit të Sporteve ”Partizani”, ai i 21 Janarit, kur të fillojë, ka për të qenë fundi i një komunisti që shkatërroi Partinë Demokratike, SHPRESËN E POPULLIT SHQIPTAR.
Si përfundim, deri sa Drejtësia do të vazhdojë ta shtyjë procesin e 26 viktimave të Gërdecit, juve vetëm shpifje, gënjeshtra dhe akuza ulëritëse keni për të shpërndarë. A mendon se ka naivë, aq më shumë politikanë evropianë që do t’i besojnë ato?!