SHBA – Altman: Qendrat e të dhënave të IA-së po kundërshtohen nga komunitetet lokale
UASHINGTON, 16 nëntor /ATSH-AFP/ – Drejtori ekzekutiv i “OpenAI”, Sam Altman, ka pranuar se mënyra se si po ndërtohen dhe funksionojnë qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale nuk është e përshtatshme për komunitetet lokale.
Deklarata vjen pas zgjedhjeve të fundit në SHBA, ku votuesit kundërshtuan një numër të madh projektesh për ndërtimin e këtyre objekteve.
Gjatë një takimi ndërkombëtar të organizuar nga media amerikane “Semafor” në Silicon Valley, Altman deklaroi se qendrat e të dhënave do të vazhdojnë të ndërtohen, por mënyra e planifikimit, funksionimit dhe komunikimit me banorët duhet të ndryshojë.
Ai pranoi se është e kuptueshme që njerëzit nuk dëshirojnë të kenë një qendër të tillë pranë banesave të tyre.
Si një zgjidhje të mundshme, Altman sugjeroi që këto objekte të ndërtohen në zona më të largëta nga vendbanimet, duke argumentuar se SHBA-ja ka hapësira të mjaftueshme për këtë qëllim.
Kundërshtimet e komuniteteve lidhen kryesisht me konsumin shumë të lartë të energjisë elektrike dhe ujit, ndotjen, emetimet dhe zhurmat që shkaktojnë këto infrastruktura.
Në shumë zona, banorët kanë filluar të kundërshtojnë projektet për shkak të ndikimit të tyre në mjedis dhe në jetën e përditshme.
Altman vuri në dukje se qendrat e të dhënave janë shndërruar edhe në simbol të një frike më të thellë; humbjes së kontrollit të njerëzimit ndaj inteligjencës artificiale.
Ai paralajmëroi se premtimi për përparime të jashtëzakonshme, si shërimi i kancerit, nuk mjafton nëse njerëzit përfundojnë duke jetuar të varur nga makineritë dhe pa kontroll mbi të ardhmen e tyre.
Ndërkohë, investimet kolosale në blerjen e miliona çipave dhe sigurimin e energjisë për zhvillimin e IA-së po shtojnë shqetësimet e investitorëve.
Kjo situatë tregon se sfida e inteligjencës artificiale nuk është më vetëm teknologjike, por edhe ekonomike, mjedisore dhe sociale.
Qëndrueshmëria e këtij modeli zhvillimi dhe pranimi i tij nga publiku do të jenë vendimtare për të ardhmen e industrisë. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.