SHBA: Dhunë në Sharlotë, shpallet gjendje e jashtëzakonshme
Një person u qëllua me armë të mërkurën mbrëma në qytetin e Sharlotës në Karolinën e Veriut, derisa po vazhdonin protestat për të dytën natë me radhë pas vrasjes nga policia të një afrikano-amerikani. Kryetari i Karolinës së Veriut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotë. Më herët gjatë natës pati një parakalim paqësor që më pas u shndërrua në një përleshje të dhunshme ndërmjet policisë dhe protestuesve. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat. Disa protestues thyen xhamat e dyqaneve dhe ndezën zjarre të vogla në rrugë.
Qeveria e qytetit tha se personi i qëlluar të mërkurën është goditur nga një civil dhe jo nga policia, ndërsa theksoi se ai nuk ka ndërruar jetë por është i plagosur rëndë. Të martën gjatë protestave qenë plagosur 24 veta, përfshirë 16 policë.
Kryetarja Jennifer Roberts bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se Sharlota gjithmonë ishte vend i dialogut paqësorë. “Kjo nuk është ajo çfarë jemi ne”, tha ajo në një intervistë për CNN Protestat shpërthyen si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së 43 vjeçarit, Keith Lamont Scott, në një kompleks banimi. Policia tha se po kërkonte dikë tjetër kur pa Scottin që po dilte nga makina me në armë dhe një oficer qëlloi Scottin i cili injoroi thirrjet për të lënë armën.
Familja e Scottit tha se ai ishte i paarmatosur dhe po mbante në duar një libër në kohën kur u qëllua. Dëshmitarët thanë se ai po mbante duart lart. Të shtënat janë regjistruar nga kamerat që policia mban në trup, por pamjet nuk janë bërë publike. Ky është rasti i fundit në vargun e të shtënave të policisë që vënë në pah përdorimin e forcës, posaçërisht ndaj afrikano-amerikanëve.
Të shtënat janë pasuar shpesh nga protestat në të cilat janë kërkuar reforma në polici dhe drejtësi për ata që janë vrarë nga policët. Në shumë raste demonstratat ishin paqësore, por dhuna si ajo në Sharlotë, ka nxitur debate të mëtejme për mënyrën se si mund të flasin njerëzit kundër asaj që ata besojnë që paraqet padrejtësi dhe punës së policëve. Braxton Winston, një protestues në Sharlotë, ju drejtua udhëheqjes së departamentit të policisë për mënyrën e trajtimit të situatës.
“Ju na thoni vazhdimisht çfarë nuk mund të bëjmë. Nuk mund të gjunjëzohemi. Nuk mund të parakalojmë. Nuk mund të qëndrojmë. Nuk mund të këndojmë. Atëherë çfarë mundemi. Shef Kerr Putney, dil e na thuaj se çfarë mund të bëjmë”, tha Winston.
Presidenti, Barack Obama, foli në telefon në mërkurën me zonjën Roberts dhe kryetarin e Tulsas në Oklahoma, Dewey Bartlett, ku të premten një oficer i policisë vrau një afrikano-amerikan. Shtëpia e Bardhë tha se të tre udhëheqësit ngulën këmbë se protestat duhet të jenë të qeta dhe presidenti ofroi çdo ndihmë të nevojshme për të dyja qytetet.
Avokati i policit në Tulsa, i cili qëlloi 40 vjeçarin Terence Crutcher, tha se polici u ndje i rrezikuar dhe qëlloi Crutcherin i cili ju afrua xhamit të makinës së tij. Por, familja e Crutcherit tha se video pamjet tregojnë se xhami ishte i mbyllur dhe ai i kishte duart mbi makinë për të dëshmuar se është i paarmatosur.
Kandidatja presidenciale nga radhët e demokratëve, Hillary Clinton, tha se vrasjet “janë të padurueshme dhe duhet të bëhen të patolerueshme”. Ajo tha se vendi ka nevojë për forcë, dashuri e mirësi dhe se “ne jemi më të sigurt kur komunitetet respektojnë policinë dhe policia respekton komunitetet.”
Republikani Donald Trump shkroi në rrjetin social twtter se “situata ne Sharlotë dhe Tulsa është tragjike. Ne duhet të bashkohemi për ta bërë Amerikën sërish të sigurt”. Ai shfaqi shpresën se dhuna dhe trazirat në Sharlotë do të përfundojnë shumë shpejt. Gazeta Washington Post shkruan se vrasja e fundit e çon në 702 numrin e personave të vrarë nga policia gjatë vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Nga këta 163 janë afrikano-amerikanë.
Veprimtarët e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për bojkotimin e bizneseve që janë pronë e të bardhëve në Sharlotë. Ata thonë se numri i madh i afrikano-amerikanëve të vrarë nga policia është shenjë e racizmit në Shtetet e Bashkuara, bashkë me papunësinë dhe mungesën e mundësive për arsimim.