Fluturimi i parë i taksive ajrore elektrike hap epokën e transportit urban
Një demonstrim i parë i taksive ajrore elektrike është zhvilluar në San Francisko, duke dhënë një pamje se si mund të duket transporti urban në të ardhmen, sipas AP.
Kompania amerikane “Joby Aviation” realizoi një fluturim testues mbi qytet, duke treguar potencialin e avionëve të vegjël elektrikë për transport të shpejtë të pasagjerëve.
Avioni elektrik i kompanisë fluturoi pranë disa prej pikave më ikonike të zonës së Gjirit, përfshirë urën “Golden Gate”, gjatë një rruge që nisi nga aeroporti ndërkombëtar i Oakland.
Demonstrimi është pjesë e një turneu prezantues në SHBA për të promovuar teknologjinë e re të transportit ajror urban. Sipas kompanisë, “Joby Aviation” mjetet e saj fluturuese janë të projektuara për të transportuar pasagjerë në mënyrë të shpejtë dhe relativisht të qetë, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit në qytete të mëdha.
Drejtuesi i “Joby Aviation”, JoeBen Bevirt, e quajti demonstrimin një moment historik për kompaninë dhe një hap të madh drejt realizimit të këtij projekti.
Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) e ka përzgjedhur kompaninë për një program pilot që synon integrimin e avionëve me ngritje dhe ulje vertikale elektrike (eVTOL).
Programi synon të testojë përdorimin e tyre në disa shtete amerikane, përfshirë transportin e mallrave dhe misione mjekësore.
Sipas planit të kompanisë, operacionet e para mund të fillojnë brenda disa muajsh në disa shtete të SHBA-së.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se kur shërbimi komercial do të nisë në vetë San Francisko.
“Joby Aviation” synon që çmimi i udhëtimeve me taksi ajrore të jetë i krahasueshëm me shërbimet premium të transportit si “Uber Black”. Në të ardhmen, kompania po shqyrton edhe mundësinë e fluturimeve autonome, pa pilot në bord. /Ad.Ab./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.