Bota

SHBA – Rezultatet e para konfirmojnë bastionet e dy partive

Republikanët pretenduan sot fitoren në një nga shtetet më të kontestuara në Kongresin amerikan, ndërkohë që demokratët ende duan të kufizojnë dëmet, në një palë zgjedhje që mund të vendosin të ardhmen politike të Joe Biden dhe rivalit të tij Donald Trump.

Duke bërë një fushatë të fortë kundër inflacionit, J.D Vance, një nga mbështetësit e  miliarderit republikan, zuri vendin e lakmuar të senatorit në Ohajo – një nga bastionet industriale dhe bujqësore të Amerikës.

I goditur nga një rritje rekord çmimesh në vend, Joe Biden mund të humbasë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në këto zgjedhje afatmesme, tradicionalisht të pafavorshme për partinë në pushtet dhe ta shohë pushtetin e tij të paralizuar për dy vitet e ardhshme.

Paraardhësi i tij Donald Trump, i cili mbështeti fuqishëm një numër të madh kandidatësh republikanë – ai ishte në një takim dje në mbrëmje në Ohajo, po mbështet suksesin e mbështetësve të tij për ta nisur më mirë garën në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.

Ai premtoi për një njoftim shumë të madh më 15 nëntor.

Miliarderi 76-vjeçar donte të ishte i pranishëm edhe gjatë kësaj nate zgjedhore, duke bërë një deklaratë të shkurtër televizive për të uruar veten për suksesin e disa prej kandidatëve të tij të shumtë.

Por, edhe kampi i demokratëve nuk mbeti duarbosh.

Ai ”rrëmbeu” dy guvernatorë nga republikanët, në Merilend dhe Masaçusets, ku Maura Healey do të jetë lezbikja e parë në krye të një shteti.

Biden e telefonoi menjëherë për ta uruar.

Partia e liderit demokrat 79-vjeçar mban sërish kontrollin e shtetit të Nju Jorkut, ku republikanët besonin se mund të rrëzonin guvernatoren Kathy Hochul.

Vala gjigante e kuqe – ngjyra e republikanëve – e premtuar nga Donald Trump, nuk është konkretizuar ende.

“Sigurisht që nuk është një valë republikane, kjo është e sigurt”, tha senatori me ndikim Lindsey Graham, një mik i ngushtë i ish-presidentit, në NBC.

Kontrolli i Senatit është edhe më i pasigurt. Gjithçka do të varet nga disa shtete kyçe, si Xhorxhia, Arizona dhe Pensilvania.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button