SHBA sanksionon studion ligjore greko-panamase Karnakis për ndihmën ndaj transportit detar iranian
Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj studios Karnakis and Karnakis, ndërsa FinCEN lëshoi një thirrje administrative për një bankë greke dhe kërkesa për informacion ndaj gjashtë bankave të tjera evropiane për lidhjet me Iranin.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të mërkurën sanksione ndaj studios ligjore Karnakis and Karnakis, me bazë në Panama dhe në Greqi, për të cilën thotë se ka mbështetur prej vitesh transportin detar iranian, siç njofton Reuters.
Sipas deklaratës së Thesarit, masa është pjesë e presionit të Uashingtonit ndaj rrjeteve që ndihmojnë Iranin të lëvizë ngarkesat e tij detare dhe të shmangë kufizimet amerikane, në një kohë kur lufta mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon dhe trafiku në Ngushticën e Hormuzit mbetet i goditur nga sulmet ndaj anijeve.
Paralelisht, Rrjeti për Zbatimin e Ligjit për Krimet Financiare (FinCEN) lëshoi një thirrje administrative për të çuar përpara një hetim ndaj një banke greke për lidhje të mundshme me Iranin. Thesari nuk e bëri publik emrin e bankës në deklaratën e tij.
FinCEN lëshoi gjithashtu kërkesa për informacion ndaj gjashtë bankave të tjera në Evropë, për marrëdhëniet e tyre me institucione financiare iraniane që ndodhen nën sanksionet amerikane, duke zgjeruar kështu kontrollin mbi kanalet financiare që mund ta ndihmojnë Teheranin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.