SHBA, shkallëzohen përplasjet mes demokratëve dhe Presidentit
Presidenti Donald Trump po vijon me sulmet ndaj ligjvënësve demokratë që drejtojnë procedurat për ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij. Ai akuzoi të mërkurën kryetarin e komisionit të Zbulimit Adam Schiff për tradhti si dhe sulmoi gjithashtu informatorin e paidentifikuar i cili informoi me shqetësim rreth një telefonate të zotit Trump me homologun e Ukrainës.
Presidenti republikan e ka kritikuar vazhdimisht hetimin për shkarkimin e tij, gjë që u nxit nga një bisedë telefonike e tij me Presidentin e Ukrainës, gjatë së cilës kërkoi një hetim që do të dëmtonte kundërshtarin politik të tij, ish-nënpresidentin Joe Biden.
Zoti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se ai nuk ka thënë asgjë të keqe gjatë telefonatës më 25 korrik të cilën e quan të “përsosur”.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Trump sulmon kryetarin demokrat të komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff, i cili po udhëheq procesin e hetimit.
“Ai (Adam Schiff) duhet akuzuar për tradhti sepse po i sajon fjalët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm fjalët por edhe kuptimin e tyre“, tha zoti Trump. Ai shtoi se përpjekjet e demokratëve për shkarkimin e tij ishin të pabaza e të motivuara politikisht.
“Ata janë përpjekur të më shkarkojnë që prej ditës kur u zgjedha”, tha presidenti Trump.
Duke akuzuar Presidentin Donald Trump për “nxitje të dhunës”, udhëheqësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e paralajmëruan hapur atë dhe administratën e tij të mërkurën që të mos frikësojnë dëshmitarët e mundshëm në hetimin e tyre që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij.
Ata thanë se po përgatitnin kërkesën që Presidenti të dorëzojë dokumente që lidhen me marrëdhëniet e tij me Ukrainën.
Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi tha se Presidenti Trump mund të mos e kuptojë se sa të rrezikshme janë deklaratat e tij “kundër kallëzuesit që ekspozoi një telefonatë të muajit korrik mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Gjatë telefonatës, sipas informatorit, zoti Trump bëri presion për një hetim ndaj rivalit politik demokrat Joe Biden dhe familjes së tij.
Kryetari i komisionit të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, duke akuzuar zotin Trump se po bënte thirrje për dhunë kundër informatorit, tha se çdo përpjekje për të ndërhyrë në hetimet e demokratëve do të konsiderohej si provë për pengim të drejtësisë dhe mund të përfshihej në akuzat për shkarkimin e tij.
“Ne nuk po bëjmë shaka”, tha ai.
Presidenti Trump nuk dha ndonjë shenjë se do të ndalej. Gjatë konferencës për shtyp të drejtuesve të Dhomës, ai shkroi në Twitter: “Demokratët që nuk janë të mirë për asgjë duhet të përqendrohen te ndërtimi i vendit tonë.”
Duke hedhur kritika, ai sulmoi zotin Schiff duke e quajtur “njeri të llumit” dhe tha se San Francisko-ja e Kryetares së Dhomë, Pelosit është shndërruar në një “qytet tendash” për të pastrehët.
Ditët e fundit, Presidenti Trump ka komentuar në Twitter se ai dëshiron të “mësojë rreth informatorit” dhe t’i bëjë pyetje atij, megjithëse identiteti i personave që tillë mbrohet me ligj.
Demokratët thanë se të premten ata do t’i kërkojnë zyrtarisht Shtëpisë së Bardhë dokumente në lidhje me marrëdhëniet e zotit Trump me Ukrainën, duke përmendur “mosrespektimin flagrant” të kërkesave të tyre të mëparshme për informacion.