SHBA – Sulm kibernetik ndaj CIA-s dhe inteligjencës amerikane, ekspozohen disa informacione të paklasifikuara
– Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) kanë zbuluar një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë ekspozuar disa informacione të paklasifikuara të institucioneve amerikane të inteligjencës.
Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, të publikuar sot, ndërhyrja ka prekur një rrjet kompjuterik, që përdoret për mbledhjen dhe analizimin e informacioneve nga burime publike, përfshirë internetin dhe bazat e të dhënave komerciale, me qëllim identifikimin e të dhënave me vlerë për inteligjencën amerikane.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se cilat informacione janë ekspozuar dhe as se si është realizuar sulmi.
Sipas burimeve të cituara nga mediet amerikane, incidenti nuk ka përfshirë informacione të klasifikuara, të cilat konsiderohen sekrete shtetërore.
Një burim i njohur me çështjen i tha agjencisë “Associated Press” se sistemi i CIA-s, i prekur nga sulmi, përpunonte informacione të hapura dhe se problemi tashmë është zgjidhur.
Autoritetet amerikane nuk kanë identifikuar ende personat apo grupin përgjegjës për ndërhyrjen.
Ndërkohë, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare deklaroi se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të funksioneve thelbësore dhe as të sistemeve që përmbajnë informacione të klasifikuara.
Raportimet bëjnë të ditur se dyshohet që ekspozimi i informacioneve, mund të ketë prekur edhe institucione të tjera qeveritare amerikane.
Ngjarja vjen në një periudhë kur institucionet amerikane janë përballur me disa incidente të sigurisë kibernetike.
Së fundmi janë raportuar ndërhyrje edhe në sistemet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Departamentit të Bujqësisë, Pentagonit dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Sulmi ndaj sistemeve të inteligjencës, ka ngritur shqetësime për sigurinë e rrjeteve qeveritare, edhe kur ato përpunojnë informacione publike dhe jo sekrete shtetërore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.