SHBA – Sulm kibernetik në një nga platformat më të rëndësishme të Forcave Ajrore
Hakerët kanë arritur të depërtojnë në platformën “Cloud One” të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportojnë ekskluzivisht Reuters, duke cituar tre persona të njohur me çështjen.
Zbulimi i ndërhyrjes është bërë gjatë muajit të fundit, në kuadër të punimeve për përmirësimin e sistemit.
Ngjarja ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e disa shërbimeve të platformës.
Deri tani nuk është identifikuar se kush qëndron pas sulmit dhe as nuk është përcaktuar plotësisht shkalla e dëmit.
Gjithashtu, nuk dihet nëse hakerët kanë arritur të vjedhin të dhëna.
Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e ekspozimit të informacioneve të ndjeshme që kanë të bëjnë me operacionet taktike, personelin ushtarak dhe furnizimet logjistike.
“Cloud One” u krijua në vitin 2017 me synimin për të bashkuar në një platformë të vetme shërbimet informatike të Forcave Ajrore amerikane.
Sistemi mbështetet në teknologjitë e katër gjigantëve të industrisë; “Microsoft”, “Amazon”, “Oracle” dhe “Alphabet” (Google). Ai përdoret për dhjetëra aplikacione, përfshirë sisteme që administrojnë të dhënat dhe pagat e personelit, mirëmbajtjen dhe logjistikën ushtarake.
Ndër sistemet që mbështeten në këtë platformë janë edhe “Cloud-Based Command and Control”, i cili grumbullon të dhëna nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe burime të tjera informacioni në Amerikën e Veriut, si dhe “Theater Integrated Combat Munitions System”, që gjurmon bombat dhe raketat në më shumë se 200 instalime të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
Për këtë arsye, një ndërhyrje e tillë konsiderohet veçanërisht serioze.
Sipas burimeve, për vlerësimin e pasojave është angazhuar edhe “Cyber Command”, struktura ushtarake amerikane përgjegjëse për operacionet në hapësirën kibernetike.
Ndërkohë, zbulimi i sulmit ka detyruar autoritetet të pezullojnë përkohësisht transferimin e disa aplikacioneve administrative drejt “Cloud One”, një proces që prej kohësh konsiderohet prioritet për modernizimin e infrastrukturës ushtarake.
Forcat Ajrore amerikane nuk pranuan të komentojnë mbi sigurinë, dobësitë apo gjendjen operative të sistemeve të veçanta, por theksuan se marrin vazhdimisht masa për mbrojtjen e informacionit dhe kapaciteteve të Departamentit të Forcave Ajrore.
Incidenti vjen në një periudhë kur institucionet amerikane janë përballur me disa raste të tjera të sulmeve kibernetike, duke rikthyer në vëmendje cenueshmërinë e infrastrukturës digjitale edhe në sektorët më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.