SHBA-Trump: Për Iranin ka ardhur koha për ndryshim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se në Iran janë duke u shkelur të drejtat e njeriut dhe duke u plaçkitur pasuria e vendit dhe se për Republikën Islamike kishte ardhur koha për ndryshime.
Trump, i cili ndërrimin e viteve e priti në shtëpinë e tij në Florida bashkë me familjen, deklaroi në Twitter se Irani kishte qenë i pasuksesshëm në të gjitha nivelet, edhe përkundër marrëveshjes ”së tmerrshme” të nënshkruar me qeverinë e paraardhësit të tij, Barack Obama.
“Populli i madh i Iranit me vite është nën shtypje. Është i uritur për ushqim dhe liri. Bashkë me të drejtat e njeriut, në Iran është duke u plaçkitur edhe pasuria e vendit. Është koha për ndryshim”, deklaroi Trump.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pas shpërthimit të protestave në Iran, të cilat filluan të enjten pasi një grup u mblodh në qytetin Meshhed pa thirrje të asnjë partie politike për të protestuar kundër kushteve ekonomike në vend.
Protestat u shndërruan në protesta antiqeveritare dhe u përhapën në shumë qytete.