SHBA – Trump: Takimi Putin-Zelensky do të organizohet shumë shpejt
– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi sot se një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky do të organizohet shumë shpejt, duke shprehur besimin se bisedimet mund të sjellin progres drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, sipas “The Straits Times”.
“Do të organizohet një takim shumë shpejt dhe mendoj se mund të arrihet progres ”, u tha sot Trump gazetarëve, pas kthimit nga aktivitetet elektorale në Teksas.
I pyetur se kush do të merrte pjesë në takim, presidenti amerikan përmendi drejtpërdrejt Putinin dhe Zelensky, por nuk dha hollësi për datën, vendin apo mënyrën se si do të zhvillohej takimi.
Bisedimet e reja priten në nëntor
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur po shtohen përpjekjet diplomatike për rifillimin e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.
Presidenti ukrainas Zelensky deklaroi më herët se përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së kishin rënë dakord të zhvillonin bisedime teknike në gjysmën e parë të nëntorit, në Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Këto bisedime synojnë të rifillojnë procesin e negociatave, i cili kishte ngecur pas raundeve të mëparshme të zhvilluara në Abu Dabi dhe Gjenevë në fillim të vitit.
Zelensky ka shprehur besimin se bisedimet mes përfaqësuesve të të tri vendeve, mund të hapin rrugën për një takim të nivelit më të lartë, ku mund të marrin pjesë edhe udhëheqësit e vendeve.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur nëse takimi mes Putinit dhe Zelensky, do të zhvillohet në kuadër të këtyre bisedimeve apo në një format tjetër.
Mosmarrëveshjet për paqen mbeten të mëdha
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për kushtet e përfundimit të luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Moska kërkon kontrollin e plotë të katër rajoneve ukrainase, që pretendon se i ka aneksuar, si dhe kërkon që Ukraina të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO.
Nga ana tjetër, Kievi kundërshton dorëzimin e territoreve dhe kërkon garanci të forta sigurie nga aleatët perëndimorë, për të parandaluar një sulm të ri rus në të ardhmen.
Zelensky ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së vendeve evropiane në negociata dhe të sigurimit të mbështetjes afatgjatë për ushtrinë ukrainase.
Bisedimet e mëparshme nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet kryesore për territorin dhe sigurinë.
Trump: Përparim në përpjekjet diplomatike
Trump tha se administrata e tij po shënon përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, por nuk paraqiti hollësi për ndonjë marrëveshje të arritur mes Moskës dhe Kievit.
Ai nuk konfirmoi as një datë konkrete për takimin e mundshëm mes dy presidentëve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.