SHBA – Zjarri masiv në Nevada përfshin mbi 6 mijë hektarë tokë, rreth 90 mijë persona në rrezik
– Pothuajse 90 mijë persona pritet të evakuohen, ndërsa një zjarr masiv po afrohet në Reno të Nevadës, raportoi BBC.
Dhjetëra mijëra persona janë urdhëruar të evakuohen nga qyteti Reno, në Nevada, pasi një zjarr i madh pyjor ka arritur në periferi të qytetit.
Rreth 42 mijë persona janë urdhëruar të largohen menjëherë nga banesat, ndërsa 45 mijë të tjerë janë këshilluar të përgatiten për evakuim.
Zjarri, i raportuar për herë të parë dje në mëngjes, ka shkaktuar deri tani gjashtë të plagosur, thanë autoritetet.
Erërat e forta dhe kushtet e paparashikueshme të motit, kanë ndihmuar në përhapjen e flakëve.
Guvernatori i Nevadës, Joe Lombardo ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qarkun Washoe dhe ka urdhëruar Gardën Kombëtare të angazhohet në përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe në operacionet e sigurisë.
“Situata është aktive dhe po ndryshon me shpejtësi. I bëj thirrje të gjithëve në zonat e prekura të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale”, tha Lombardo.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor dhe është raportuar dje në orën 11:15 sipas kohës lokale (18:15 GMT).
Qendra e informacionit për emergjencat në Washoe tha se deri tani janë djegur rreth 6 mijë hektarë tokë.
Rreth 13 700 banesa ndodhen brenda zonës së evakuimit, ndërsa shërbimet lokale të emergjencës kanë ngritur dy qendra strehimi për banorët e zhvendosur.
Nga gjashtë personat e plagosur, tre janë pjesëtarë të ekipeve të emergjencës që po luftojnë me flakët.
Avionë të mëdhenj zjarrfikës dhe helikopterë janë angazhuar mbi zonë, duke hedhur ujë dhe lëndë retarduese ndaj zjarrit.
Zjarri është quajtur “Hawk Fire”, pasi u raportua për herë të parë pranë shtegut Hawk Meadow, në perëndim të qytetit Reno.
Reno ndodhet në pjesën perëndimore të Nevadës, pranë kufirit me Kaliforninë, dhe ka rreth 280 mijë banorë.
Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), zjarret pyjore janë të zakonshme në shtetet jugperëndimore të vendit, përfshirë Nevadën.
Aktualisht, në këtë shtet janë aktivë tre zjarre të mëdha, nga gjithsej 79 në të gjithë SHBA-në.
Megjithatë, shumica e këtyre zjarreve zhvillohen në zona rurale dhe me dendësi të ulët banimi, ndërsa vetëm një pjesë e vogël arrijnë të afrohen pranë qendrave të banuara. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.