Shefja e FMN, Christine Lagarde shpallet fajtore për neglizhencë
Gjykata franceze ka shpallur fajtore Shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, për neglizhencë në lidhje me pagesën e kompensimit të bërë nga Banka Shtetërore drejt një biznesmeni në vitin 2008.
Gjykata e Drejtësisë së Republikës ka dhënë vendimin sot, pas pesë vitesh proces gjyqësor. Lagarde u akuzua se ka lejuar nga “pakujdesia”, devijimin e një shumë të konsiderueshme të fondeve publike, në kohën kur ishte ministre e financave të Francës.
Gjykata që ka gjykuar Largade nuk ka dhënë asnjë dënim ndaj shefes së FMN-së dhe ky vendim nuk do të shfaqet në precedentët e ish-ministres. Megjithatë, ai mund të dëmtojë imazhin e një prej femrave më të fuqishme në botë.
Rasti Tapei daton në fillim të viteve ’90, kur banka Credit Lyonnais i bleu aksionet e kompanisë “Adidas” biznesmenit dhe ish-ministrit Bernard Tapie për 315.5 milionë euro. Një vit më pas, banka e shiti atë për 701 milionë euro, duke bërë që Tapie të pretendojë se banka e kishte mashtruar atë me qëllim zhvlerësimin e firmës.
Në vitin 2007, Ministria e Ekonomisë vendosi t’i drejtohet arbitrazhit privat për t’i dhënë fund kësaj çështjeje të gjatë gjyqësore. Një vit më pas, të tre gjyqtarët e arbitrazhit i dhanë Tapie një kompensim prej 404 milionë eurosh nga arkat e shtetit.
Në fillim të vitit 2015, drejtësia civile anuloi vendimin e arbitrazhit duke marrë parasysh se ishte jo e drejtë. Tapie u dënua të paguajë 404 milionë euro. Lagarde u akuzua për “pakujdesi” që lejoi arbitrazhin të merrte vendime të pafavorshme për interesat e taksapaguesve.