Shënohet 114-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë në Tokio, Sveçla takon zyrtarë të lartë japonezë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës (MPB), Xhelal Sveçla ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar në Tokio të Japonisë, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se në këtë ceremoni mori pjesë me ftesë të ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, Ermal Muça, dhe bashkëshortes së tij.
Me këtë rast, ministri Sveçla bëri të ditur se ambasadorit Muça ia përcolli urimet për këtë përvjetor të rëndësishëm për kombin shqiptar.
Gjatë ceremonisë, në mesin e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve japoneze dhe ndërkombëtare, Sveçla pati mundësinë të bashkëbisedojë me zyrtarë të lartë japonezë, përfshirë zëvendësministren parlamentare të Punëve të Jashtme, Akiko Ikuina, ministrin e Shtetit, Minoru Kiuchi, si dhe të ritakohet me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Komunikimeve të Japonisë, Hisayuki Fujii.
Ai gjithashtu përshëndeti deputeten e Parlamentit japonez, Seiko Kudo, dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Japoni, Giorgio Aliberti.
Në postimin e tij, Sveçla ka vlerësuar rëndësinë historike të Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar se ajo përfaqëson sakrificën, qëndresën dhe përpjekjet e brezave për liri e çlirim.
Ai ka theksuar se kjo datë mbetet dëshmi e idealeve dhe rrugëtimit të përbashkët, si dhe e lidhjes së pandashme mes shqiptarëve, kudo që jetojnë. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.