Nga nomadët digjitalë te portali i përbashkët turistik, çfarë planifikon Shqipëria me vendet e Ballkanit
Krijimi i një qendre rajonale për nomadët digjitalë, zhvillimi i një portali të përbashkët turistik dhe ngritja e një platforme për analizimin e flukseve të vizitorëve janë ndër iniciativat e propozuara për transformimin digjital të turizmit në Shqipëri dhe ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas dokumentit kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), bashkëpunimi rajonal për shkëmbimin dhe analizimin e të dhënave turistike është një nga fushat me vlerën më të madhe të shtuar. RCC thekson se informacioni mbi lëvizjen e vizitorëve ndërmjet disa vendeve nuk mund të sigurohet plotësisht nga një administratë kombëtare që vepron e vetme.
Dokumenti prezanton si koncept “Digital Nomad Hub of the Balkans”, një iniciativë e mundshme e orientuar drejt nomadëve digjitalë, profesionistëve që mund të punojnë në distancë dhe të qëndrojnë për periudha të ndryshme në destinacione jashtë vendit të tyre.
Ndryshe nga vizitorët që udhëtojnë për pushime të shkurtra, profesionistët që punojnë në distancë (nomadët) mund të qëndrojnë për periudha më të gjata, duke krijuar kërkesë për akomodim, ambiente pune, transport, gastronomi dhe shërbime të tjera.
Një portal i përbashkët për turistët dhe institucionet
Iniciativa e radhës e propozuar është “WB6 Digital Tourism Gateway”, një portal rajonal që synon të rrisë dukshmërinë e ofertës turistike të Ballkanit Perëndimor në tregjet ndërkombëtare.
Platforma parashikohet të ketë një funksion të dyfishtë. Nga njëra anë, ajo do të shërbejë për prezantimin e destinacioneve dhe produkteve turistike për vizitorët, ndërsa nga ana tjetër do të mbështesë koordinimin e përmbajtjes promovuese dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve.
Krahas portalit, propozohet ngritja e një qendre rajonale të të dhënave turistike, “Regional Tourism Data Hub and Dashboard”, që do të mbështesë analizimin e kërkesës, flukseve turistike, tregjeve prioritare dhe performancës së destinacioneve.
Përdorimi i këtyre të dhënave mund të ndihmojë institucionet dhe operatorët e sektorit në planifikimin e ofertës turistike, orientimin e fushatave promovuese dhe identifikimin e ndryshimeve në preferencat e vizitorëve.
Integrimi me platformat turistike të Bashkimit Europian
Sistemet rajonale synohet të zhvillohen në mënyrë që të mund të ndërveprojnë me platformat ekzistuese dhe ato në zhvillim të Bashkimit Europian, përfshirë “EU Tourism Dashboard”, “EU Tourism Data Space” dhe “EU Tourism Platform”.
Qëllimi është të shmanget krijimi i sistemeve paralele dhe të lehtësohet integrimi gradual i ekosistemit turistik të Ballkanit Perëndimor në atë evropian.
Gjatë fazës së parë, deri në fund të vitit 2027, parashikohet përgatitja e kuadrit fillestar për analizimin e të dhënave dhe ngritja fillestare e portalit të përbashkët promovues. Zhvillimi i mëtejshëm dhe aktivizimi i platformave digjitale synohen gjatë periudhës 2028–2029./ekofin.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.