SHENZHEN – Marrëveshje e re Kinë-Kanada, lehtësohen tarifat për dhjetëra produkte
SHENZHEN, 17 nëntor /ATSH-DPA/- Kina dhe Kanadaja kanë rënë dakord të ulin më tej tarifat doganore për disa produkte, në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet tregtare mes tyre, ndërsa të dyja vendet përballen me tensione tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve të zhvilluara sot në qytetin Shenzhen të Kinës jugore, mes presidentit kinez Xi Jinping dhe kryeministrit kanadez Mark Carney. Ajo u bë e ditur nga qeveria kanadeze pas takimit mes dy liderëve.
Sipas marrëveshjes, Kina do të ulë tarifat doganore për mishin e derrit, peshkun dhe prodhimet e detit që importon nga Kanadaja.
Në këmbim, Kanadaja do të zgjasë me dy vjet, përjashtimet ekzistuese nga tarifat doganore për çelikun dhe aluminin kinez, si dhe do t’i zgjerojë këto përjashtime për 32 kategori të tjera produktesh.
Dy vendet ranë dakord gjithashtu të thellojnë bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe financiare, tregtinë elektronike, arsimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Marrëveshjet shënojnë një tjetër hap drejt afrimit të marrëdhënieve mes Kinës dhe Kanadasë, pas disa vitesh tensionesh diplomatike dhe tregtare.
Në janar, gjatë një takimi në Pekin, Xi Jinping dhe Mark Carney njoftuan krijimin e një partneriteti më të ngushtë. Në atë kohë, të dyja palët ranë dakord për uljen e tarifave kineze ndaj produkteve bujqësore kanadeze, në këmbim të lehtësimit të hyrjes së automjeteve elektrike kineze në tregun kanadez.
Afrimi mes dy vendeve zhvillohet në një kohë kur tensionet tregtare me Uashingtonin vijojnë të jenë të larta.
Tarifat e larta doganore, të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Kanadasë, kanë ushtruar presion mbi ekonominë e këtij vendi. Për këtë arsye, kryeministri Carney po kërkon partnerë të rinj tregtarë, me synimin për të ulur varësinë e madhe të Kanadasë nga tregu amerikan.
Edhe Kina po kërkon të zgjerojë partneritetet e saj tregtare dhe të përballojë presionin ekonomik nga Uashingtoni, në kushtet e strategjisë tregtare të administratës Trump.
Bisedimet mes Xi dhe Carney u zhvilluan përpara samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që mbahet në Shenzhen, ku gjatë kësaj jave pritet të marrin pjesë Trump dhe liderë të tjerë botërorë.
Në kuadër të samitit, Xi Jinping, Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë gjithashtu takimin e tyre të parë tripalësh. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.